TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Bashkimi Evropian ka nevojë për bashkëpunim më të ngushtë për tregjet dhe mbrojtjen, por jo për çështje politike siç është emigracioni, ku dallimet e mëdha mes vendeve e bëjnë të pamundur një gjë të tillë, tha të premten kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.
“Ka çështje, madje çështje ekzistenciale, për të cilat ne nuk kemi zgjidhje të përbashkëta. Ato janë, lufta dhe paqja, emigracioni, gjinia, shoqëria bazuar në punë dhe punësimi i plotë”, tha Orban në një konferencë në Itali. “Nëse na detyroni të bashkohemi për çështje për të cilat nuk pajtohemi, atëherë kështu e shpërbëni Bashkimin Evropian”, tha ai.
Orbani gjithashtu tha se vizitat e tij në Kiev dhe në Moskë në fillim të këtij viti, për të cilat ai u kritikua ashpër nga disa partnerë të BE-së, bënë që ai të vinte në përfundim se “asnjëra palë nuk e ka për qëllim dhe arritjen e armëpushimit tani për tani”.
Hungaria, e cila ka mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë prej se Moska e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, është duke e mbajtur kryesimin gjashtëmujor të Presidencës së BE-së prej korrikut. Pasi e mori kryesimin e bllokut, Orbani e vizitoi Kievin edhe pastaj udhëtoi befas për në Moskë dhe Pekin, para se të merrte pjesë në samitin e NATO-s në Uashington. “Misioni i paqes” i deklaruar nga vetë ai mori kritika të mëdha nga disa liderë të BE-së, të cilët e distancuan bllokun nga veprimet e tij.