BOTA, 28 Maj 2025, 20:38

Ministri i Jashtëm gjerman nis vizitën e parë zyrtare në Uashington, pritet nga Rubio

Ministri i Jashtëm gjerman nis vizitën e parë zyrtare në

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio priti sot homologun e tij gjerman, ministrin e Jashtëm Johann Wadephul, në Uashington – në vizitën e tij të parë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga marrja e detyrës.

Udhëtimi i Wadephul në SHBA vjen përpara një vizite të planifikuar të kancelarit Friedrich Merz për bisedime me presidentin Donald Trump, për të cilën ende nuk është caktuar një datë.

Merz dhe Wadephul morën detyrën më 6 maj pas zgjedhjeve në shkurt.

Përpara vizitës, Wadephul tha se do të kërkonte bashkëpunim transatlantik në marrëdhëniet me presidentin rus, Vladimir Putin dhe në përballjen me sulmet e vazhdueshme ndaj Ukrainës.

“Ne duhet të vazhdojmë të ushtrojmë presion, në mënyrë që Putini të ulet në tryezën e negociatave, dhe Rusia më në fund të hyjë në negociata serioze”, tha ai.

Gjithashtu, Wadephul do të zhvillojë bisedime me sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Shteteve Amerikane (OAS), Albert Ramdin.

E themeluar në vitin 1948, OAS me qendër në Uashington punon për paqen dhe stabilitetin në rajon, së bashku me promovimin e demokracisë dhe lirisë së shtypit.