TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidenti francez Emmanuel Macron i ka kërkuar Bashkimit Evropian të tregojë kujdes në përballjen e tij aktuale me Rusinë.
“Mendoj se të gjithë duhet të jemi shumë të kujdesshëm sepse jemi në një kohë ku përballemi me shumë hibriditet”, tha Macron në samitin informal të BE-së në Kopenhagë, kur u pyet nga një gazetar nëse po shkohej drejt një lufte botërore.
“Kjo është arsyeja pse duhet të jemi të fortë për të penguar çdo agresion, por duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm dhe të shmangim çdo përshkallëzim”, shtoi ai.
Lufta hibride përfshin përdorimin e metodave konvencionale, siç janë tanket dhe raketat, si dhe ato jokonvencionale, siç janë sulmet kibernetike dhe dezinformimi në internet.
“Rusia ka qenë një lojtare shumë agresive për disa vite”, tha kreu i shtetit francez.
“Kjo mund të shihet në sulmet kibernetike gjatë zgjedhjeve, luftën e saj kundër Ukrainës, përdorimin e kërcënimeve bërthamore dhe tani provokimet në hapësirën ajrore”, shtoi ai.
“E gjithë kjo është një “tërësi hibride” dhe është në sferën e përballjes”, tha Macron.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e një përgjigjeje të tepruar.
“Pavarësisht gjithçkaje, mendoj se duhet të mendojmë me qetësi. Mendoj se nuk duhet t’u përgjigjemi provokimeve. Duhet të pajisemi, kjo është padyshim e vërtetë”, tha Macron.
Në kuadër të shkeljeve të fundit të hapësirës ajrore nga avionët luftarakë rusë dhe dronët kamikazë, krerët e shteteve dhe kryeministrat e vendeve të BE-së u takuan sot në Kopenhagë – për të diskutuar përpjekjet e përbashkëta për një parandalim dhe mbrojtje më të mirë.