BOTA, 1 Tetor 2025, 19:38

JD Vance akuzon demokratët për bllokimin e qeverisë: Po imponojnë shpenzime për kujdes shëndetësor ndaj emigrantëve të paligjshëm

JD Vance akuzon demokratët për bllokimin e qeverisë: Po

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance,ka bërë një reagim të ashpër ndaj Partisë Demokratike, duke i akuzuar se janë përgjegjës për mbylljen e qeverisë federale (shutdown), me qëllim, sipas tij, të imponojnë shpenzime qindra miliarda dollarësh për kujdes shëndetësor ndaj emigrantëve të paligjshëm.

Në një intervistë për Fox News, Vance deklaroi se krahu i majtë i Demokratëve në Senat është shkaktari i krizës, pasi refuzoi të miratojë një buxhet të ri pa përfshirjen e këtyre shpenzimeve.

“Nuk është diçka që e kemi shpikur. Nuk është thjesht një slogan politik. Është e shkruar në tekstin e projektligjit që ata vetë kanë paraqitur për rihapjen e qeverisë,” theksoi ai.

Vance theksoi se taksapaguesit amerikanë nuk duhet të mbulojnë shpenzime për njerëz që ndodhen në mënyrë të paligjshme në vend.

“Ne duam që qytetarët amerikanë të përfitojnë nga këto shërbime në spitale, jo të paguajnë taksa për të mbuluar emigrantët e paligjshëm,” deklaroi ai.

Ai shtoi se Republikanët nuk kundërshtojnë reformat për uljen e kostove të kujdesit shëndetësor, por theksoi se këto nuk mund të negociohen nën kërcënimin e një shutdown-i.

“Jam dakord që të gjithë duam kujdes shëndetësor të përballueshëm për qytetarët amerikanë. Le ta arrijmë këtë së bashku, por nuk mund ta mbash peng qeverinë për të bërë negociata për shëndetësinë,” tha Vance.

Pasojat e shutdown-it tashmë kanë filluar të ndihen, paralajmëroi ai, duke përmendur ndikimin tek forcat e armatosura dhe punonjësit federalë. Ai sqaroi se Republikanët janë të gatshëm të diskutojnë reformat në sistemin shëndetësor vetëm pas miratimit të buxhetit.

Kriza ka ardhur pasi viti i ri fiskal në SHBA nisi pa një buxhet të miratuar nga Kongresi, duke shkaktuar pezullimin e pjesshëm të funksionimit të agjencive federale.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar më herët se shutdown-i mund të shfrytëzohet për të realizuar shkurtimet në personel dhe paga, duke ia atribuar përgjegjësinë Demokratëve dhe duke e cilësuar krizën si mundësi për të eliminuar programe që Republikanët i kundërshtojnë.