BOTA, 1 Tetor 2025, 20:39

Kremlini: Rusia pajtohet me Trump, nëse doni paqe, përgatituni për luftë

Kremlini: Rusia pajtohet me Trump, nëse doni paqe, përgatituni

Kremlini tha sot se Rusia, ashtu si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është e përkushtuar për të forcuar ushtrinë e saj, duke kërkuar njëkohësisht paqe, pas deklaratës së sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, drejtuar forcave amerikane, sipas “The Moscow Times”.

Në një fjalim në Bazën e Korpusit të Marinës Quantico në Virxhinia, Hegseth u tha qindra gjeneralëve dhe admiralëve të lartë të mbledhur dje – se SHBA-ja duhej të përgatitej për luftë për të siguruar paqen.

“Edhe ne jemi të përkushtuar për të forcuar trupat tona të armatosura, duke mbështetur plotësisht paqen dhe duke mbetur të hapur për zgjidhjen e të gjitha çështjeve, përfshirë krizën ukrainase, përmes mjeteve diplomatike dhe politike”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Thënia “nëse do paqe, përgatitu për luftë” është e njohur dhe përdoret shpesh nga politikanët”, u tha ai gazetarëve, duke shtuar se Kremlini po monitoron nga afër deklaratat e bëra nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Në fjalimin e tij në Quantico, Trump tha se ishte i zhgënjyer nga presidenti rus, Vladimir Putin për mosarritjen e një pakti për të rënë dakord për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Peskov u tha sot gazetarëve se negociatat ruso-ukrainase ishin bllokuar – duke akuzuar Kievin se “po vononte” bisedimet që filluan në Stamboll, këtë verë.