TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Hungaria u përpoq të spiunonte institucionet evropiane midis viteve 2012-2018, me qëllim që “të informohej paraprakisht për çdo masë që mund të dëmtonte interesat e saj”, sipas një hetimi gazetaresk të publikuar sot.
“Çdo qytetar hungarez që punonte për Komisionin Evropian dhe kishte ndonjë vlerë në aspektin e informacionit, konsiderohej një objektiv rekrutimi dhe profilizohej”, shpjegoi qendra hungareze e kërkimit ‘Dirakt36’.
Në bashkëpunim me median hungareze ‘Telex’, e cila publikoi hetimin, ‘Direkt36’ hetoi çështjen, së bashku me gazetën gjermane ‘Paper Trail Media’ dhe gazetën belge ‘De Tijd’. Ajo pretendon se, nën mbulimin diplomatik të delegacionit zyrtar hungarez në Bruksel, të dyshuar si “diplomatë” iu afruan punonjësve të BE-së me origjinë hungareze.
Atyre iu kërkua të siguroheshin që të mos ridhte informacion i ndjeshëm ose që të ndikonin në raportet e Komisionit.
“Rishkruaje këtë, fshije atë”, shpjegoi njëri prej tyre për ‘Direkt36’. Qëllimi ishte që “tekstet të pasqyronin botëkuptimin e qeverisë” së kryeministrit hungarez Viktor Orbán.
Në atë kohë, kreu i delegacionit hungarez ishte Oliver Várhelyi, i cili u emërua Komisioner në vitin 2019.
“Ai ishte me siguri në dijeni të aktiviteteve të spiunazhit të kryera nga ambasada e tij” dhe “ai vetë ishte një nga marrësit e fundit të informacionit të mbledhur”, pohon Direkt36. Aksioni i spiunazhit madje u bë “veçanërisht agresiv” kur Várhelyi ishte ambasadori i Hungarisë në BE, siguron qendra hungareze e kërkimit.
Në këmbim, Budapesti premtoi para ose avancim në karrierë për punonjësit me origjinë hungareze.
‘Direkt36’, e cila deklaron se nuk është në dijeni nëse ky veprim ishte i suksesshëm apo jo, pretendon se ai ra në vëmendjen e udhëheqësve të BE-së.
Në vitin 2024, qeveria Orbán përuroi “Shtëpinë Hungareze” në Bruksel, pikërisht përballë zyrës së kryeministrit belg. Kjo qendër kulturore konsiderohet “e rrezikshme” nga shërbimet belge të inteligjencës.
As qeveria hungareze dhe as delegacioni i Komisionit Evropian në Budapest nuk iu përgjigjën kërkesës së Agence France-Presse për koment.
Që nga kthimi në pushtet në vitin 2010, Orbán është përplasur me autoritetet evropiane të cilat e akuzojnë atë për minimin e sundimit të ligjit.
Komisioni ka nisur procedura të shumta “shkeljeje” kundër Budapestit dhe ka ngrirë miliarda euro fonde evropiane të destinuara për Hungarinë.