TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Më shumë se 40 vende, përfshirë ShBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë, Greqinë dhe Qipron, shprehën “shqetësim të thellë” pas shkeljes së hapësirës ajrore të Polonisë nga dronë rusë, natën e 9 shtatorit 2025.
Në një deklaratë të përbashkët të lexuar nga ministri i Jashtëm i Polonisë, Marcin Bosacki, thuhet se Federata Ruse ka kryer 19 shkelje me dronë në hapësirën ajrore polake, duke paraqitur “rrezik real për popullsinë civile, infrastrukturën dhe sigurinë ajrore”. Sipas autoriteteve polake, dronët janë neutralizuar në mënyrë parandaluese.
Polonia reagoi ashpër ndaj këtij akti, duke kërkuar për herë të parë në historinë e saj, mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke e konsideruar veprimin rus si një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe një përshkallëzim të rrezikshëm, që e çon rajonin në prag konflikti më shumë se kurrë më parë në vitet e fundit.
Shtetet perëndimore: Rusia po minon përpjekjet për paqe
Në deklaratën e përbashkët, shtetet nënshkruese kërkojnë nga Moska që të ndalojë menjëherë luftën agresive kundër Ukrainës, të përmbahet nga provokimet e mëtejshme dhe të respektojë Kartën e Kombeve të Bashkuara.
“Përshkallëzimi nuk mund dhe nuk do të çojë në paqe. Vetëm respektimi i sovranitetit, integritetit territorial dhe zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve mund të krijojë kushte për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Evropë dhe më gjerë”, thuhet në deklaratë.
Shtetet që nënshkruan deklaratën
Në mesin e vendeve që firmosën deklaratën janë: ShBA, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Koreja e Jugut, vendet nordike dhe baltike, si edhe Shqipëria, Greqia dhe Qiproja.
Trump: “Ndoshta ishte aksident”, Tusk: “Aspak!”
I pyetur për incidentin, presidenti amerikan Donald Trump u shpreh një ditë më parë se “ndoshta dronët rusë kanë hyrë gabimisht në Poloni”.
Por këtë e mohoi kategorikisht kryeministri polak Donald Tusk, i cili tha sot se “nuk bëhet fjalë për ndonjë gabim të rastësishëm të Rusisë”, duke shtuar se situata është shumë serioze dhe e paprecedentë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.