BOTA, 7 Nëntor 2023, 23:31

Lufta Rusi-Ukrainë, 6 të vdekur dhe 11 të plagosur në Donetsk

Lufta Rusi-Ukrainë, 6 të vdekur dhe 11 të plagosur në

Të paktën gjashtë persona u vranë sot nga një sulm me raketë në qytetin e Donetskut, i cili është nën kontrollin e forcave ruse, njoftoi kreu i rajonit ukrainas të pushtuar, Denis Pushilin.

“Gjashtë persona u vranë dhe 11 u plagosën nga sulmet në qendër të Donetskut”, shkruan Pushilin në një postim në platformën Telegram. Një shërbim social, një qendër mjekësore dhe banesa u goditën në sulmin me raketa, që i atribuohen forcave të armatosura ukrainase, sipas të njëjtit burim.

Më herët, kryebashkiaku i emëruar nga Moska, Alexei Kulemzin tha se gjashtë persona u vranë kur çatia e një ndërtese të zyrës publike u shemb. Një “predhë armike” goditi gjithashtu një magazinë në një lagje tjetër të qytetit Donetsk, shtoi ai.

Donetsk është një nga katër rajonet e Ukrainës të aneksuara ilegalisht nga Rusia vitin e kaluar. Forcat e armatosura ukrainase nisën një kundërofensivë në qershor me qëllim të çlirimit të territoreve të pushtuara, pa arritur deri më tani rezultatet e pritura.