BOTA, 19 Gusht 2025, 09:08

Lufta/ Putin e Zelensky gati të takohen për paqen në Ukrainë, Merz: Do të zhvillohet brenda dy javësh! Macron skeptik: Presidenti rus s’do paqe

Lufta/ Putin e Zelensky gati të takohen për paqen në

Një telefonatë 40-minutëshe, të cilën Kremlini e quan "konstruktive dhe të sinqertë", midis Donald Trump dhe Vladimir Putin, pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë me Volodymyr Zelenskyn dhe udhëheqësit evropianë, i sjell presidentët rusë dhe ukrainas më afër një takimi ballë për ballë për të diskutuar për paqen në Ukrainë.

Sipas mediave të huaja, Putin, i cili deri më tani nuk ka dashur të takohet me Zelenskyn duke e konsideruar si “të paligjshëm”, ka konfirmuar se është pro takimit dypalësh. Më pas pritet edhe një takim trepalësh edhe me Trumpin. 

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka thënë se takimi do të zhvillohet brenda dy javësh. Midis komenteve entuziaste nga udhëheqësit e samitit të djeshëm, bie në sy skepticizmi i kujdesshëm i Macron:

"Merrni në konsideratë sanksionet nëse negociatat dështojnë. Nuk mendoj se Putini dëshiron paqe."
Gjatë takimit me Zelenskyn, Trump premtoi se SHBA-të do të përfshiheshin në ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën, duke thënë se do të ketë një format, por nuk zbuloi nëse do të përfshijë trupa amerikane. U diskutua gjithashtu edhe për një shkëmbim të mundshëm territoresh, megjithëse nuk u bë publik asnjë diskutim për këtë çështje. 

Pika që shkaktoi ‘përplasje’ me evropianët ishte armëpushimi. Për presidentin amerikan nuk është e nevojshme arritja e një armëpushimi teksa zhvillohen bisedimet, një qëndrim që u kundërshtua nga Merz.

"Nuk mund ta imagjinoj që takimi i ardhshëm të zhvillohet pa një armëpushim", tha kancelari gjerman Friedrich Merz. "Pra, le të punojmë për këtë dhe le të përpiqemi të ushtrojmë presion mbi Rusinë".