TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Polonia vlerëson se humbjet që pësoi gjatë Luftës së Dytë Botërore për shkak të Gjermanisë arrijnë në 1.3 trilion euro, tha sot kreu i partisë nacionaliste në pushtet duke shtuar se Varshava do të kërkonte zyrtarisht dëmshpërblim.
Ndërkohë, partneri më i madh tregtar i Polonisë dhe gjithashtu një anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, Gjermania ka thënë në të kaluarën se të gjitha pretendimet ekonomike të lidhura me Luftën e Dytë Botërore janë zgjidhur.
Vlerësimi i ri i detyrimit të Gjermanisë është më i lartë se 850 miliardë dollarë që një ligjvënës i partisë në pushtet kishte bërë në vitin 2019. Partia në pushtet Ligj dhe Drejtësi (PiS) ka kërkuar vazhdimisht dëmshpërblime që nga marrja e pushtetit në 2015, por Polonia nuk ka kërkuar zyrtarisht diçka të tillë.
“Shuma e paraqitur u miratua duke përdorur metodën më të kufizuar, konservatore, pasi ndryshe mund të rritej edhe më tepër”, tha kreu i PiS Jaroslaë Kaczynski në një konferencë për shtyp.
Qëndrimi agresiv ndaj Gjermanisë, i përdorur shpesh nga PiS për të mobilizuar audiencën e tyre elektorale, ka tensionuar marrëdhëniet me Berlinin. Ai është intensifikuar që nga pushtimi rus i Ukrainës mes kritikave për mbështetjen e Berlinit në gazin rus dhe pengesave për të ndihmuar Kievin.
Rreth gjashtë milionë polakë, duke përfshirë tre milionë hebrenj, u vranë gjatë luftës dhe Varshava u shkatërrua pas një kryengritjeje në 1944, në të cilën vdiqën rreth 200,000 civilë.
Qeveria gjermane dhe ministria e jashtme nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Në vitin 1953, qeveria e atëhershme komuniste e Polonisë kishte hequr dorë nga të gjitha pretendimet për reparacionet e luftës nën presionin e Bashkimit Sovjetik, i cili donte të çlironte Gjermaninë Lindore, gjithashtu një satelit sovjetik, nga çdo borxh. PiS thotë se marrëveshja është e pavlefshme sepse Polonia nuk mund të negocionte një kompensim të drejtë.
Donald Tusk, kreu i partisë kryesore opozitare Platforma Qytetare, tha sot se njoftimi i Kaczynskit “nuk kishte të bënte me reparacionet”.
“Ka të bëjë me fushatën e brendshme politike për të rindërtuar mbështetjen për partinë në pushtet,” tha ai.