BOTA, 1 Shtator 2022, 11:39

Lavrov kërcënon Moldavinë: Do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur popullsinë rusishtfolëse në Moldavi dhe Transnistri

Lavrov kërcënon Moldavinë: Do të bëjmë

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka paralajmëruar Moldavinë se mund të pësojë fatin e Ukrainës nëse nuk zgjidhet me dialog të drejtëpërdrejtë konflikti në Tiraspol. Kreu i diplomacisë ruse pretendon se Kishinau zyrtar “nuk dëshiron një dialog të drejtpërdrejtë me Tiraspolin” dhe “po mbështet një zgjidhje jodiplomatike të konfliktit”.

Lavrovi premtoi gjithashtu se “ai do të bëjë gjithçka për të mbrojtur popullsinë rusishtfolëse të Moldavisë dhe Transnistrisë”. “Të mos harrojmë se në Moldavi, përveç Transnistrisë, është edhe Gagauzia, e cila gjithashtu kërkon një status të veçantë”, deklaroi Lavrov-i.

“Besoj se autoritetet moldave do të veprojnë drejt, nëse heqin dorë nga lojërat gjeopolitike të imponuara nga Perëndimi dhe mendojnë për interesat e qytetarëve, të cilët momentalisht jetojnë të sigurtë”, deklaroi Lavrov.

Në të njëjtën kohë, presidentja e Republikës së Moldavisë, Maia Sandu, tha edhe një herë Kishinau zyrtar dëshiron ta zgjidhë konfliktin në Transnistria, rajonin separatist pro-rus në mënyrë “paqësore” dhe u zotua se do të shkojë në Gagauzia për të biseduar nga afër me njerëzit që protestojnë atje.