BOTA, 27 Janar 2023, 09:30

KiE bën thirrje për krijimin e gjykatës ndërkombëtare për Putinin dhe Lukashenkon

KiE bën thirrje për krijimin e gjykatës ndërkombëtare

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës (PACE) bëri thirrje të enjten për krijimin e një gjykate të posaçme ndërkombëtare për të gjykuar lidershipin politik dhe ushtarak të Rusisë dhe Bjellorusisë për krime lufte në Ukrainë.

Kjo gjykatë ndërkombëtare, e cila do të jetë me seli në Hagë, duhet të gjykojë liderët e Rusisë dhe Bjellorusisë që “planifikuan, përgatitën, filluan dhe ekzekutuan” luftën, thuhet në tekstin e rezolutës.

“Po të mos kishin vendosur të nisnin këtë luftë agresive kundër Ukrainës, mizoritë, shkatërrimet, vdekja dhe dëmtimi  nuk do të kishin ndodhur,” thuhet në tekst.

Gjykata speciale ndërkombëtare duhet të “mbështetet nga sa më shumë shtete dhe sa më shumë organizata ndërkombëtare, veçanërisht nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara”. Këshilli i Europës duhet të marrë një rol udhëheqës në këtë përpjekje.

Edhe Parlamenti Europian votoi për të njejtën gjë pak ditë më parë.

Këshilli i Europës – një organizatë ndërkombëtare që nuk ka marrëdhënie organike me BE-në është përgjegjës për mbikëqyrjen e respektimit të të drejtave të njeriut në 46 shtetet e tij anëtare.

Rusia u tërhoq nga KiE në mars.