BOTA, 3 Shkurt 2023, 21:55

Hyri në grevë urie kundër sjelljes çnjerëzore të gjyqësorit, lirohet përkohësisht regjisori iranian

Hyri në grevë urie kundër sjelljes çnjerëzore të

Regjisori iranian Jafar Panahi është liruar përkohësisht nga burgu, disa ditë pasi hyri në një grevë urie për të protestuar ndaj “sjelljes çnjerëzore” të gjyqësorit dhe sigurisë iraniane.

“Sot, në ditën e tretë të grevës së urisë së Jafar Panahit, ai u lirua përkohësisht nga burgu pas përpjekjeve të familjes së tij, avokatëve të respektuar dhe kolegëve të tij”, thuhej në një deklaratë në faqen e Instagramit të gruas së Panahit më 3 shkurt.

Përmes postimit u tha se detaje të tjera për lirimin e tij do të jepen nga ekipi ligjor.

Qendra për të Drejtat e Njeriut në Iran (CHRI) me seli në SHBA tha gjithashtu në Twitter se Panahi ishte liruar.

Panahi u arrestua në muajin korrik.

Pak para arrestimit, ai nënshkroi një letër të hapur, së bashku me mbi 300 regjisorë iranianë, duke u bërë thirrje forcave të sigurisë t’i jepnin fund shtypjes së dhunshme ndaj protestuesve.

Qeveria iraniane ka reaguar brutalisht ndaj protestave të qytetarëve, të nxitura nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini, kurdo-iranianes, sa ka qenë në mbajtje policore, me arsyetimin e nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë.

Të paktën 522 persona janë vrarë përgjatë katër muajve të protestave kundër Qeverisë së Iranit, sipas raportimeve të organizatës HRANA me bazë në Shtetet e Bashkuara.

Në mesin e të vdekurve janë 70 fëmijë dhe 68 zyrtarë policorë, ka thënë organizata të dielën.

Gati 20.000 persona janë arrestuar, prej tyre 110 kanë akuza që mund të rezultojnë me dënime me vdekje./REL