TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka folur sot për mediat gjatë një konference të përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në kuadër të samitit të aleancës në Hagë.
Në fokus të deklaratës së presidentit amerikan ishte çështja e Iranit, pas operacionit ushtarak të koduar “Midnight Hammer”, që synoi objektet bërthamore. Trump u pyet nga gazetarët në lidhje me një raport të deklasifikuar që sugjeron se Irani mund të ketë ende kapacitete të fshehta për pasurimin e uraniumit.
“Askush nuk e di me siguri,” tha Trump, “por një gjë është e qartë – objektet që goditëm u shkatërruan plotësisht. Kemi arritur një shkatërrim total, siç nuk është parë më parë në një operacion të tillë.”
Trump theksoi se, sipas vlerësimit të tij, “Irani nuk do të ndërtojë armë bërthamore për një kohë shumë të gjatë”.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, që po e shoqëron Trump në këtë samit, deklaroi se misioni ishte “i përsosur” dhe shkaktoi “shkatërrim të jashtëzakonshëm”.
“Çdo analizë që thotë të kundërtën,” shtoi Hegseth, “ka motive të tjera.”
Duke folur gjatë samitit të NATO-s në Hagë, në Holandë, Trump e cilësoi armëpushimin si “shumë të mirë”.
I pyetur për raportet e inteligjencës amerikane që sugjerojnë se sulmet nuk shkatërruan plotësisht objektet bërthamore të Iranit, Trump nuk ra dakord dhe tha se ato ishin “shkatërrim pothuajse total”.
“Besoj se ishte shkatërrim i plotë. Mendoj se ata nuk patën asnjë mundësi të nxirrnin asgjë, sepse ne vepruam shpejt. Është shumë e vështirë dhe shumë e rrezikshme të largosh një material të tillë,” shtoi ai.
“Ishte shkatërrim,” nënvizoi Trump. Presidenti amerikan u pyet gjithashtu për kërcënimet e Iranit për të vijuar pasurimin e uraniumit dhe tha: “Gjëja e fundit që duan të bëjnë tani është të pasurojnë diçka. Ata duan të rikuperohen. Ne nuk do ta lejojmë këtë.”
“Nuk do të lejojmë pasurimin e uraniumit në Teheran,” tha Trump para gazetarëve, duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme dhe armëpushimit mes Izraelit dhe Iranit.
I pyetur për armëpushimin, Trump u shpreh optimist:
“Armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit po ecën mirë dhe jam shumë krenar për ta. Edhe pse Izraeli e theu për një moment, ata i tërhoqën avionët e tyre.”
“Objektet bërthamore të Iranit janë shkatërruar plotësisht”
Në lidhje me programin bërthamor iranian, Trump deklaroi se SHBA synon rindërtimin e marrëdhënieve me Iranin, por theksoi se nuk do të përfshihet më në negociata për çështje bërthamore.
I pyetur nëse objektet bërthamore të Iranit janë shkatërruar, ai tha:
“Ka raportime që jo të gjitha janë shkatërruar, por Izraeli do të na informojë. Unë besoj se janë shkatërruar tërësisht. Në pamjet para dhe pas, gjithçka është e zezë. Nuk arritën të shpëtonin asgjë, nuk patën kohë të zhvendosnin materialin. E dinin që do të bombardoheshin dhe ishin larguar.”
“Një fitore e madhe për të gjithë”
Trump e quajti këtë situatë një “fitore të madhe”, jo vetëm për SHBA-në, por për gjithë komunitetin ndërkombëtar, duke nënvizuar se është shumë e vështirë për Iranin që të ndërtojë një bombë bërthamore pas këtyre zhvillimeve.
“Të gjithë besojmë se do të jetë shumë e rrezikshme dhe e vështirë që ata të ndërmarrin diçka të tillë,” tha ai, duke shtuar se në një skenar tjetër, “do të na duhej t’i prisnim të gatshëm në cep.”
Në fund, Trump përmendi edhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke e përshëndetur me përkëdheli:
“Bibi duhet të jetë krenar për veten e tij.”