TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një lëvizje e papritur ka ndodhur në Tesla, ku Milan Kovac, drejtuesi i programit të robotëve humanoidë Optimus, ka njoftuar largimin nga kompania pas gati një dekade angazhim. Kovac e bëri të ditur vendimin përmes një postimi në platformën X (ish-Twitter), duke thënë se i duhet të kalojë më shumë kohë me familjen jashtë vendit, pas një periudhe të gjatë larg tyre.
“Kam qenë shumë larg shtëpisë për një kohë të gjatë dhe do të duhet të kaloj më shumë kohë me familjen jashtë vendit. Ky ishte vendimi më i vështirë i jetës sime”, shkroi ai.
Kovac theksoi se kjo ishte arsyeja e vetme për largimin dhe se mbështetja e tij për Elon Musk dhe Tesla-n mbetet e patundur.
Largimi i tij vjen në një moment kritik, ndërsa Musk ka paralajmëruar se mijëra robotë Optimus do të jenë funksionalë në fabrikat e Tesla deri në fund të këtij viti. Ambicia e Musk është që Optimus të kthehet në një produkt me shkallë prodhimi më të shpejtë se çdo tjetër në histori, duke arritur miliona njësi në vit.
Kovac ishte emëruar bashkë-drejtues i zhvillimit të Optimus në vitin 2022 dhe në fund të vitit 2024 u ngrit në pozitën e zëvendës-presidentit që mbikëqyrte gjithë programin. Përpara këtij roli, ai ka shërbyer për vite me radhë si inxhinier i lartë në ekipin Autopilot, një nga segmentet më të rëndësishme teknologjikë të kompanisë.
Tesla ende nuk ka bërë një koment zyrtar për zëvendësimin e Kovac apo ndikimin e largimit të tij në zhvillimin e Optimus.