BOTA, 6 Qershor 2025, 20:26

Thellohet përplasja/ "Elon e ka humbur fare", Trump shpërthen sërish ndaj Musk: Nuk jam i interesuar të flas me të

Thellohet përplasja/ "Elon e ka humbur fare", Trump

Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka sulmuar sërish publikisht Elon Musk, duke e quajtur miliarderin të “çmendur” dhe duke përjashtuar mundësinë e një pajtimi mes tyre.

Në një intervistë për Fox News, Trump deklaroi se nuk është i interesuar të flasë me Musk, pavarësisht thashethemeve se mund të zhvillonin një bisedë telefonike.
“Elon e ka humbur fare,” tha Trump, duke komentuar edhe sondazhin e Musk në platformën X, ku ky i fundit aludonte për krijimin e një partie të re politike.
“Nuk më shqetëson aspak,” u përgjigj Trump për iniciativën e Musk.

Ndërkohë, CNN ka zbuluar se zëvendëspresidenti J.D. Vance ndodhej me Trumpin gjatë përshkallëzimit të konfliktit. Burime pranë Shtëpisë së Bardhë pohojnë se Trump i kërkoi Vance-it që të mbante një qasje diplomatike në publik. Dy liderët komunikuan disa herë gjatë ditës.

Për të ulur tensionet, Elon Musk reagoi më vonë në rrjetin e tij social, duke sqaruar se kritikat e tij ishin ndaj Kongresit amerikan, jo personalisht ndaj presidentit. Por kjo nuk e zbuti Trumpin.

Një burim i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi për mediat amerikane se Trump nuk planifikon të kontaktojë me Musk “sot”, ndërsa Wall Street Journal raportoi se presidenti po mendon të heqë dorë nga makina e tij Tesla e kuqe – një sinjal simbolik për distancimin përfundimtar nga njeriu që dikur e quante mik.