BOTA, 6 Qershor 2025, 22:57

Grupi mercenar “Wagner” largohet nga Mali pas luftimeve kundër grupeve islamiste rebele! Rusia e zëvendëson me “Africa Corps”

Grupi mercenar “Wagner” largohet nga Mali pas luftimeve kundër

Grupi famëkeq mercenar rus Wagner ka njoftuar zyrtarisht largimin nga Mali, pas më shumë se tre vite e gjysmë përfshirjeje në luftimet kundër grupeve islamiste rebele në këtë shtet të Afrikës Perëndimore.

Në një deklaratë të publikuar në kanalin zyrtar në Telegram, Wagner njofton se misioni i saj në Mali është përmbyllur me sukses dhe luftëtarët po kthehen në Rusi.

Sipas deklaratës, të gjitha qendrat rajonale të vendit janë rivënë nën kontrollin e juntës ushtarake të Malit, me forcat islamiste të dëbuara dhe komandantët e tyre të eliminuar. Nuk bëhet e ditur se çfarë do të ndodhë me mercenarët e kthyer në Rusi.

Lajmi vjen në një kohë kur Mali është goditur nga sulme të reja të kryengritësve islamikë, që sipas burimeve lokale kanë shkaktuar mbi 100 viktima mes ushtarëve malianë dhe disa mercenarëve. Përgjegjësinë për dhunën e ka marrë grupi JNIM (Jama’a Nusrat ul-Islam wa al-Muslimin), aktiv në rajonin e Sahelit.

Wagner kishte hyrë në Mali pasi ushtria mori pushtetin nëpërmjet dy grushteve shteti në vitet 2020 dhe 2021, duke dëbuar forcat franceze dhe trupat e OKB-së që ishin angazhuar prej një dekade në luftën kundër ekstremistëve islamikë.

Megjithatë, largimi i Wagner nuk nënkupton fundin e pranisë ruse në Mali. Në vend të saj, është vendosur “Africa Corps”, një formacion i krijuar nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, që përbëhet në 70-80% nga ish-luftëtarë të Wagner, sipas komunikimeve të brendshme në Telegram që ka shqyrtuar agjencia Reuters.

Sipas Ulf Laessing, ekspert i rajonit Sahel në fondacionin gjerman Konrad Adenauer, qëllimi i Rusisë është të institucionalizojë praninë e saj ushtarake në Afrikë, duke e zhvendosur fokusin nga beteja e drejtpërdrejtë në trajnim dhe furnizim me pajisje ushtarake.

Ministria e Mbrojtjes e Malit nuk ka dhënë ende një koment zyrtar lidhur me këto zhvillime. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se vendi mbetet në një situatë të pasigurtë, përballë një kërcënimi të vazhdueshëm nga grupet ekstremiste në rajon.