BOTA, 19 Korrik 2025, 23:09

Frikë në zemër të Francës! 150 persona të maskuar sulmojnë autostradën me molotovë, 9 policë të plagosur 

Frikë në zemër të Francës! 150 persona të maskuar

Qyteti i Limoges në Francën qendrore u përfshi nga trazira të dhunshme, kur rreth 100-150 persona të maskuar dhe të armatosur me shufra hekuri, koktej molotov dhe fishekzjarre sulmuan automjetet në rrugën RN141 dhe u përplasën me forcat e rendit të shtunën.

Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe mjete për kontrollin e turmës për të shpërndarë grupin, por në përplasjet e ashpra u plagosën nëntë efektivë policie. Autoritetet raportuan sulme edhe ndaj automjeteve civile, përfshirë makina me familje dhe fëmijë, të cilët fatmirësisht nuk pësuan lëndime, por mbetën të traumatizuar.

Kryetari i bashkisë së Limoges, Émile-Roger Lombertie, e përshkroi ngjarjen si një “luftë urbane të organizuar”, duke theksuar se nuk ishte një protestë spontane, por një sulm i qëllimshëm për të shkatërruar dhe për të marrë kontrollin mbi territorin.

Zona e Val de l’Aurence, e njohur për lidhjet me trafik droge dhe e banuar kryesisht nga të rinj me prejardhje emigrante, ka qenë skenë trazirash edhe më parë, por prokuroria mohon lidhjen e kësaj ngjarjeje me hetimet për drogë në rajon.

Ministria e Brendshme franceze ka vendosur një njësit të veçantë sigurie në Limoges për të rivendosur rendin dhe për të parandaluar incidente të mëtejshme.

Kjo ngjarje vjen në kulmin e sezonit turistik dhe ka shkaktuar shqetësim në opinionin publik, duke rikthyer diskutimet për sigurinë dhe menaxhimin e grupeve të dhunshme në Francë.