BOTA, 19 Korrik 2025, 21:13

Lula kritikon SHBA-në për sanksionet ndaj gjyqtarëve të çështjes Bolsonaro: Ndërhyrje e papranueshme

Lula kritikon SHBA-në për sanksionet ndaj gjyqtarëve të

Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva ka reaguar me tone të ashpra ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara për të vendosur ndalime vizash ndaj zyrtarëve gjyqësorë të përfshirë në procesin kundër ish-presidentit Jair Bolsonaro.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, Lula e quajti këtë veprim “arbitrar” dhe “të pabazë”, duke theksuar se ndërhyrja në sistemin e drejtësisë së një vendi tjetër është “e papranueshme” dhe shkel parimet themelore të respektit dhe sovranitetit midis kombeve.

“Solidariteti dhe mbështetja ime shkojnë për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë Federale, të cilët janë prekur nga një tjetër masë arbitrare dhe e pabazuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara,” tha presidenti brazilian.
Deklarata e Lulës vjen pas vendimit të SHBA-së për të revokuar vizat për gjyqtarin Alexandre de Moraes, disa kolegë të tij dhe anëtarët e afërt të familjeve të tyre. Ky veprim pasoi vendimin e Moraes që urdhëroi masa kufizuese ndaj Bolsonaros, përfshirë vendosjen e një pajisjeje monitorimi elektronik, ndalim qarkullimi gjatë natës dhe largim nga rrjetet sociale, ndërsa ai pret vendimin përfundimtar në gjyqin që lidhet me përpjekjet e supozuara për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2022.

Reagimi amerikan u motivua nga, siç u shpreh sekretari i Shtetit Marco Rubio, një “kompleks persekutimi dhe censure” që shtrihet përtej kufijve të Brazilit dhe cënon të drejtat themelore, duke synuar edhe qytetarë amerikanë.

Zhvillimet thellojnë tensionet mes administratës së Lulës dhe Shteteve të Bashkuara, në një moment kur paralele politike shpesh tërhiqen midis figurave si Donald Trump dhe Jair Bolsonaro, të cilët të dy pretendojnë se janë viktima të përndjekjes politike dhe kanë sulmuar publikisht gjyqësorin për vendimet e tyre.