BOTA, 19 Korrik 2025, 20:58

Trump bllokon rezervat amerikane, Gjermania merr rolin kryesor për armatimin e Ukrainës, i dërgon sistemin "Patriot"

Trump bllokon rezervat amerikane, Gjermania merr rolin kryesor për

Gjermania planifikon të dërgojë një sistem të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar mbrojtjen ajrore të vendit në luftë me Rusinë. Sipas mediave gjermane që citojnë burime qeveritare, procesi i dorëzimit pritet të zgjasë nga gjashtë deri në tetë muaj.

Fillimisht ishte parashikuar që SHBA të ridrejtonte një pjesë të rezervave të saj drejt Ukrainës, me Gjermaninë që do të mbulonte kostot për blerjen e sistemeve zëvendësuese. Por presidenti amerikan Donald Trump e refuzoi këtë skenar, duke theksuar se nuk do të lejojë shkëputjen e armatimit nga rezervat ushtarake amerikane.

Për rrjedhojë, vendet evropiane po detyrohen të ofrojnë pajisje nga rezervat e tyre ekzistuese, ndërsa kanë bërë edhe porosi të reja tek kompania amerikane Raytheon, e cila po prodhon aktualisht një njësi të re Patriot. Kjo njësi, e financuar nga Gjermania, do të dërgohet drejtpërdrejt në Ukrainë sapo të përfundojë prodhimi.

Ndërkohë, kriza e pajisjeve të mbrojtjes ajrore në Evropë është bërë një sfidë madhore. Negociata intensive po zhvillohen mes vendeve aleate për të përcaktuar se kush mund të kontribuojë me ndihmë konkrete për Kievin. Edhe Zvicra, që ka porositur sisteme Patriot, është zhvendosur më poshtë në listën e furnizimeve për t’i dhënë përparësi Ukrainës.

Në një zhvillim paralel, më 14 korrik, presidenti Trump njoftoi një marrëveshje me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, sipas së cilës vendet evropiane do të blejnë armatim amerikan – përfshirë sistemet Patriot – me qëllim që t’ia transferojnë Ukrainës.

SHBA po shqyrton gjithashtu shitjen direkte të sistemeve Patriot nga rezervat e saj, si pjesë e një plani më të gjerë për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës, me mbështetjen logjistike dhe financiare të aleatëve evropianë.