BOTA, 17 Maj 2025, 10:35

Ekzekutohet në Florida vrasësi serial i njohur si “Kazanova”, fjalët e fundit i drejtohen Trumpit

Ekzekutohet në Florida vrasësi serial i njohur si

Glen Rogers, i njohur me nofkën “Vrasësi Kazanova”, u ekzekutua me injeksion vdekjeprurës në burgun shtetëror të Floridës, pranë qytetit Starke, pas afro 30 vjetësh në radhën e të dënuarve me vdekje.

Para ekzekutimit, 62-vjeçari i drejtoi gjashtë fjalë presidentit amerikan Donald Trump: “President Trump, vazhdo ta bësh Amerikën të madhe”, ndërsa shtoi "Jam gati të shkoj”.

Rogers ishte dënuar për vrasjen e Tina Marie Cribbs, një nënë 34-vjeçare e dy fëmijëve, trupi i së cilës u gjet në një dhomë moteli në Tampa në vitin 1995. Ai gjithashtu u dënua për vrasjen e Sandra Gallagher në Kaliforni të po atij viti. Rogers pretendoi se kishte vrarë deri në 70 gra, por ligjërisht u dënua vetëm për dy vrasje.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, firmosi urdhrin për ekzekutimin muajin e kaluar, pas hedhjes poshtë të tre apelimeve.

Gjatë viteve, Rogers ka lidhur veten me krime të tjera të famshme, përfshirë vrasjet e Nicole Brown Simpson dhe Ron Goldman, por policia i ka hedhur poshtë këto pretendime. Historia e tij ka qenë edhe temë e një filmi televiziv, ku rolin e Nicole Brown Simpson e luajti aktorja Mena Suvari.

Rogers u shpall i vdekur në orën 18:16, sipas kohës lokale.