BOTA, 16 Maj 2025, 22:50

"Prison break" në Çikago/ 10 të burgosur arratisen nga qelitë, policia: Janë të armatosur dhe të rrezikshëm

"Prison break" në Çikago/ 10 të burgosur arratisen

Dhjetë të burgosur, të cilët konsiderohen si “të armatosur dhe të rrezikshëm,” u arratisën të premten në mëngjes nga burgu i New Orleans-it, dhe besohet se kanë pasur ndihmë nga brenda, njoftoi Zyra e Sherifit të Orleans Parish.

Fillimisht u raportua se të arratisurit ishin 11, por më vonë shifra u përditësua, pasi një prej tyre, Keith Lewis, rezultoi të mos jetë arratisur, sipas Sherifes Susan Hutson.

“Nuk ka asnjë mënyrë që dikush të dalë nga ky institucion pa ndihmën e dikujt nga jashtë,” tha Hutson gjatë një konference për shtyp.

Të burgosurit u vunë re mungues gjatë një numërimi rutinë në orën 8:30 të mëngjesit. Mendohet se ata u arratisën pak pas mesnatës. Sherifi tha se rreth orës 00:23 ata hoqën derën rrëshqitëse të qelisë nga shina dhe në 01:01 dalën nga burgu pasi hapën një mur pas tualetit, një skenar i ngjashëm me serialin e famshëm të Netflix P"rison Break".

Sherifi theksoi se tualeti dhe bulonat u hoqën me ndihmën e sendeve personale të higjienës, por nuk specifikoi se cilat. Pas kësaj, ata zbritën nga muri dhe ikën duke kaluar autostradën.

Sherifi Hutson tha se besohet se arratisja u ndihmua nga punonjës të burgut ose nga zëvendës-sherifët.

Policia e New Orleans-it, përmes superintendentes Anne Kirkpatrick, njoftoi se një prej të arratisurve, Kendell Myles, është kapur në qendër të qytetit me anë të njohjes së fytyrës nga kamerat e sigurisë. Myles u përpoq të ikte në këmbë, por u kap pa incidente të tjera. Ai u gjet duke u fshehur nën një makinë në parkingun e Hotel Monteleone dhe është rikthyer në burgun e Orleans Parish, ku do të riakuzohet për arratisje të thjeshtë.

Të tjerët që kanë ikur besohet të jenë ende në New Orleans, ndërsa burgu është vendosur në gjendje të mbyllur.

Zyra e Sherifit po bashkëpunon me agjencitë lokale dhe shtetërore për kapjen e të arratisurve dhe kthimin e tyre në paraburgim.

Në kërkim janë përfshirë edhe skuadra për kriminelë të dhunshëm të policisë së New Orleans-it, FBI dhe U.S. Marshals. Po ashtu, në operacion po ndihmon edhe Policia e Shtetit të Luizianës.

Policia ende po pret një set të plotë fotografish të të arratisurve. Ata kanë njoftuar disa viktima të të burgosurve, disa prej të cilëve akuzohen për vrasje dhe krime të tjera të dhunshme. Për shkak të arratisjes, disa familje janë evakuuar për siguri.

Superintendenti Kirkpatrick bëri thirrje që personat që janë viktima ose dëshmitarë në procese gjyqësore kundër të arratisurve të kontaktojnë policinë për të marrë ndihmë.

Ajo theksoi se është shumë e mundur që të burgosurit nuk janë më me uniformat e tyre dhe paralajmëroi se kushdo që i ndihmon apo strehon, do të akuzohet.