BOTA, 16 Maj 2025, 20:08

BE planifikon sanksione të reja, pas mungesës së Putinit në bisedimet e paqes në Turqi

 

BE planifikon sanksione të reja, pas mungesës së Putinit në

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen njoftoi sot planet për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Moskës, pasi presidenti rus Vladimir Putin nuk shkoi në Turqi për të negociuar me Ukrainën.

“Po punojmë për një paketë të re sanksionesh”, tha Von der Leyen, ndërsa mbërriti në  takimin e liderëve evropianë në Tiranë.

Këto do të jenë masa të reja – përveç sanksioneve të miratuara nga vendet e BE-së këtë javë. Ato do të përfshijnë sanksione ndaj “Nord Stream 1” dhe “Nord Stream 2”, duke listuar më shumë anije të të ashtuquajturës “flotës hije” të Rusisë, duke ulur kufirin e çmimit të naftës dhe më shumë sanksione ndaj sektorit financiar” , tha Von der Leyen.

“Ne duam paqe, dhe për këtë arsye, duhet të rrisim presionin ndaj presidentit Putin derisa ai të jetë gati për paqe”, shtoi ajo.

Gazsjellësi “Nord Stream 1” furnizoi Evropën me gaz rus deri në verën e vitit 2022, përpara se të dëmtohej nga shpërthimet. “Nord Stream 2” nuk hyri kurrë në shërbim.

Një zëdhënëse e Von der Leyen tha se sanksionet e mundshme ndaj gazsjellësve do të ishin për të dekurajuar çdo interes, dhe veçanërisht interesin e investitorëve, për të ndjekur ndonjë aktivitet në “Nord Stream” edhe në të ardhmen.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje aleatëve të vendosnin më shumë sanksione ndaj Moskës – nëse Rusia nuk pranonte një armëpushim pa kushte në bisedimet që po zhvillohen në Stamboll, Turqi.

“Prioriteti ynë numër një është arritja e një armëpushimi të plotë, pa kushte dhe i ndershëm. Kjo duhet të ndodhë menjëherë për të ndaluar vrasjet dhe për të krijuar një bazë të fortë për diplomacinë”, tha Zelensky, duke iu drejtuar udhëheqësve të tjerë, në Tiranë.

Nëse përfaqësuesit rusë në Stamboll nuk do të bien dakord për një armëpushim, atëherë bota duhet të përgjigjet”, tha ai.

“Duhet të ketë një reagim të fortë, duke përfshirë sanksione ndaj sektorit të energjisë dhe bankave të Rusisë”, shtoi Zelensky.

Disa udhëheqës evropianë të mbledhur në Tiranë për samitin e Komunitetit Politik Evropian i bënë jehonë thirrjes së Zelensky.

“Nëse negociatat nuk vazhdojnë, Evropa duhet të jetë e gatshme të veprojë fuqishëm me sanksione të reja dhe madje edhe më shumë mbështetje për Ukrainën”, tha kryeministri finlandez, Petteri Orpo.

Ai shtoi se BE-ja duhej të punonte së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vendosjen e sanksioneve të reja.

Senatori republikan amerikan, Lindsey Graham, muajin e kaluar paraqiti një projektligj për sanksione potencialisht të gjera – në rast se Rusia refuzonte të negocionte një marrëveshje paqeje me Ukrainën.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen shprehu mbështetjen e saj, duke thënë se do të sugjeronte të shqyrtoheshin sanksione ndaj naftës dhe “flotës hije”.

Kryeministrja estoneze, Kristen Michal theksoi rrezikun e anijeve të “flotës hije” që udhëtojnë nëpër Detin Baltik pranë bregdetit estonez.

Anijet, shpesh të pasiguruara dhe me pronësi të paqartë, ndihmojnë Moskën të shmangë sanksionet perëndimore. Ato konsiderohen një rrezik për sigurinë dhe mjedisin.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, vendi i të cilit nuk është më anëtar i BE-së, tha në Tiranë se aleatët e Ukrainës do të vepronin së bashku në lidhje me sanksionet nëse nuk arrihej armëpushimi.

“Prandaj, është me të vërtetë e rëndësishme që të kemi unitet absolut me aleatët tanë”, theksoi ai.

“Mendoj se ajo që pamë dje dhe gjatë natës është një provë më shumë se Putini nuk është serioz për paqen. Ai ka qenë duke e zvarritur”, shtoi Starmer.

“Shpresoj shumë për kohezion evropian. Shpresoj që ne gjithashtu të mund t’i bindim amerikanët të punojnë së bashku me evropianët – për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjeve për t’i dhënë fund luftës”, tha kancelari gjerman, Friedrich Merz, pa përmendur sanksionet e reja në mënyrë të qartë.

Më shumë se 40 udhëheqës, përfshirë presidentin ukrainas, Vlodymyr Zelensky, udhëtuan në kryeqytetin shqiptar, Tiranë – për takimin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

I bashkë-organizuar nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, udhëheqësit diskutuan sfidat e sigurisë, inovacionin dhe qëndrueshmërinë ekonomike, si dhe migracionin dhe mundësitë për të rinjtë.

Samiti i EPC-së u shty nga presidenti francez, Emmanuel Macron pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës – për të nxitur dialogun dhe bashkëpunimin midis vendeve evropiane përtej kufijve të Bashkimit Evropian.

Udhëheqësit e EPC-së u takuan për herë të parë në tetor 2022, në Pragë dhe u mblodhën për herë të fundit, në Budapest në nëntor 2024.

Rusia dhe Bjellorusia nuk janë ftuar në takime.