BOTA, 16 Nëntor 2022, 21:00

E pazakontë në Itali/ Ngatërruan shtëpi, hajdutët kthejnë mallrat dhe iu kërkojnë falje pronarëve pas grabitjes

E pazakontë në Itali/ Ngatërruan shtëpi, hajdutët

Një ngjarje e pazakontë raportohet të ketë ndodhur në Itali.

Media italiane "La Nazione" raporton se mbrëmjen e së martës, 15 nëntor, rreth orës 20:30, katër persona të mbuluar me kapuç hynë fshehurazi në një shtëpi ku ndodheshin dy të moshuar.

Hajdutët mbyllën çiftin në një dhomë duke i kërcënuar me armë dhe levë dhe u vërsulën në bodrumin e shtëpisë duke kërkuar, me sa duket, për diçka specifike.

Por ata e kuptuan se në bodrum kishte vetëm kuti të vjetra dhe u rikthyen në dhomën ku kishin mbyllur çiftin e të moshuarve.

Ata i shpjeguan familjes se ishin të bindur që shtëpia i përkiste një avokati të njohur.

Por kur e kuptuan se kishin ngatërruar adresë, hajdutët i kërkuan falje të moshuarve, madje i kthyen edhe disa xhevahire që kishin gjetur në shtëpi.

Madje njëri prej tyre u rikthye në bodrum dhe pastroi rrëmujën, sipas la nazione.

Përveç frikës së madhe, familja ishte e padëmtuar. Policia e Firences po heton tashmë historinë dhe rastin e çuditshëm të hajdutëve.