BOTA, 8 Mars 2025, 09:10

Dy vdekje dhe rreth 230 raste aktive, fruthi alarmon autoritetet shëndetësore në SHBA

Dy vdekje dhe rreth 230 raste aktive, fruthi alarmon autoritetet

Epidemia e fruthit që ka shpërthyer në jugperëndim të Shteteve të Bashkuara ka marrë jetën e dy personave, ndërsa rastet tashmë kanë arritur në afro 230, sipas të dhënave të fundit të publikuara dje, duke detyruar autoritetet shëndetësore të lëshojnë një paralajmërim për udhëtarët dhe profesionistët shëndetësorë.

Teksasi ka regjistruar 198 raste deri dje, Nju Meksiko 30 të tjera. Një vdekje është konfirmuar në secilin prej dy shteteve. Të dyja viktimat ishin të pavaksinuara. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), agjencia kryesore federale e shëndetit, i karakterizoi dy vdekjet të ardhura si pasojë e fruthit.

"Priten më shumë raste pasi ky shpërthim vazhdon të përhapet me shpejtësi," paralajmëroi CDC në një njoftim urgjent për një rrjet të veçantë të destinuar për profesionistët e kujdesit shëndetësor, zyrtarët shëndetësorë dhe udhëtarët.

Fruthi, një sëmundje shumë ngjitëse, transmetohet përmes pikave të frymëmarrjes dhe mund të mbetet si aerosol deri në dy orë pasi një person i infektuar të largohet nga zona ku ndodhej. Shkakton temperaturë të lartë, probleme me frymëmarrjen, skuqje që përhapen shpejt dhe mund të kenë komplikime serioze, duke shkaktuar pneumoni, encefalit akut, koma, madje edhe vdekje.

Mbrojtja më e mirë mbetet vaksinimi. Vaksina e fruthit, e detyrueshme, teorikisht, për fëmijët nga mosha 12 muajshe, garanton imunitet të përjetshëm prej 93% pas një doze dhe 97% pas dy dozave. Por shkalla e vaksinimit është në rënie në SHBA, veçanërisht pas pandemisë së koronavirusit të ri, e cila u pasua nga një valë keqinformimi për vaksinat.

CDC rekomandon një shkallë vaksinimi prej 95% për të garantuar imunitetin e tufës, por mbulimi kombëtar midis fëmijëve parashkollorë u tkurr në 92.7% në 2023-2024.

Aktualisht Sekretari i Shëndetësisë në administratën e Donald Trump, Robert Kennedy Jr. për dekada të tëra i lidhi gabimisht vaksinat kundër fruthit, shytave, rubeolës dhe sëmundjeve të tjera me autizmin, edhe pse pretendimet e kësaj natyre janë hedhur poshtë nga kërkimet shkencore.

Pas shpërthimit të epidemisë së fruthit, e cila po merr vrull, ai duket se ka ndryshuar qëndrim. Para këtij shpërthimi, vdekja më e fundit që i atribuohet fruthit në SHBA u regjistrua në vitin 2015.