BOTA, 2 Maj 2025, 19:08

"Do të fillojmë të festojmë përsëri fitoret tona!", Trump shton një festë për Amerikën: 8 maji do të shënohet si Dita e Fitores në SHBA

"Do të fillojmë të festojmë përsëri fitoret

SHBA-ja do të shënojë në të ardhmen fitoren e aleatëve në Luftën e Dytë Botërore më 8 maj, ditën kur Gjermania u dorëzua në vitin 1945, njoftoi sot presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

“Shumë nga aleatët dhe miqtë tanë po e festojnë 8 majin si Ditën e Fitores, por ne bëmë më shumë se çdo vend tjetër, deri tani, në prodhimin e një rezultati fitimtar në Luftën e Dytë Botërore”, tha Trump në “Truth Social”.

“Me anë të kësaj po e riemërtoj 8 majin si Ditën e Fitores për Luftën e Dytë Botërore dhe 11 nëntorin si Ditën e Fitores për Luftën e Parë Botërore. Ne fituam të dy luftërat, askush nuk ishte afër nesh në aspektin e forcës, trimërisë apo shkëlqimit ushtarak, por ne kurrë nuk festojmë asgjë”, tha ai.

“Kjo sepse nuk kemi më udhëheqës që dinë ta bëjnë këtë! Do të fillojmë të festojmë përsëri fitoret tona!”, shtoi Trump.

“New York Times” vuri në dukje se njoftimi nuk u shoqërua me një urdhër ekzekutiv dhe se fuqia për të krijuar festa publike i takonte Kongresit.

8 Maji njihet në SHBA si Dita e Fitores në Evropë – ndërsa 11 Nëntori që shënon fundin e Luftës së Parë Botërore në 1918 është Dita e Veteranëve. SHBA-ja shënoi Ditën e Fitores ndaj Japonisë, ose Ditën e Fitores në Evropë, më 2 shtator, ditën kur Japonia u dorëzua në 1945.

Rusia feston Ditën e Fitores më 9 maj, duke reflektuar ndryshimin e kohës dhe duke vazhduar një traditë sovjetike. Presidenti Vladimir Putin i ka dhënë rëndësi të shtuar kësaj dite gjatë viteve të fundit, duke mbajtur parada të mëdha në Sheshin e Kuq të Moskës.

“New York Times” tha se pretendimi i Trump se SHBA-ja bën më shumë se çdo vend tjetër për të mposhtur Gjermaninë naziste mund të kundërshtohet në Rusi, ku Dita e Fitores për të nderuar 27 milionë sovjetikët që vdiqën në luftë është një festë kombëtare.

Historia e SHBA-së ka qenë një fokus i veçantë për Trump. Më 31 mars, ai nënshkroi urdhrin ekzekutiv “Rikthimi i së Vërtetës dhe i Mendjes së Gjallëruar në Historinë Amerikane”, duke kërkuar një rishqyrtim të mënyrës se si SHBA- ja vlerëson të kaluarën e saj.