TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Gjykata është treguar me "dorë të hekurt" ndaj personave që kanë marrë pjesë në demonstratat e dhunshme me tone raciste, që po shokojnë Mbretërinë e Bashkuar prej ditësh.
Derek Drummond është dënuar me tre vjet burg për pjesëmarrje në trazirat e dhunshme në Southport. Ai është i pari i dënuar që është dërguar në burg për këtë vepër që kur filluan trazirat. Ai gjithashtu është dënuar me dy muaj burg për goditjen e një polici.
Declan Geiran është dënuar me 30 muaj burg - 28 muaj për trazira të dhunshme dhe djegien e një furgoni policie në Liverpool, dhe dy muaj të tjerë në lidhje me një dënim për komunikim të dëmshëm.
Liam Riley është dënuar me 20 muaj burg, duke përfshirë dy muaj për elementin e rënduar racor të kësaj vepre.
Zëdhënësi i Prokurorisë u tha gazetarëve jashtë Gjykatës së Kurorës në Liverpool se këta persona "gabimisht menduan" se do t'i shpëtonin drejtësisë. Ai shton se kjo është "maja e ajsbergut" dhe fillimi i një "procesi të dhimbshëm" për ata që "marrëzisht" zgjodhën dhunën.
Demonstratat e dhunshme kanë sjellë përplasje dhe lëndime të civilëve dhe policëve, përgjatë të gjithë javës së fundit. Ato u nxitën nga dezinformimi dhe mashtrimi, lidhur me agresorin e masakrës së Southport, i cili gabimisht u përshkrua si një refugjat musliman.
Policia ka arrestuar qindra vetë, ndërkohë që po vijon identifikimi i personave të tjerë që morën pjesë në dhunë, apo u përfshinë në përhapjen e thirrjeve për dhunë dhe nxitje të dhunës në internet.
Shefja e Policisë thotë se oficerët janë përballur me dëmtime fizike dhe emocionale gjatë përpjekjeve për të mbajtur sigurinë publike.
“Kjo është një pjesë e pashmangshme e policimit modern, por të sulmohesh fizikisht nuk duhet kurrë të jetë një pasojë e pashmangshme e zgjedhjes së kësaj karriere,” thotë ajo.
Gjykata dëgjoi se 93 oficerë janë plagosur dhe më shumë oficerë po vlerësohen çdo ditë, me dëmtime që përfshijnë eshtra të thyer, dhëmbë të humbur dhe simptoma psikologjike.
Kryeministri Sir Keir Starmer është zotuar se pjesëmarrësit në dhunë do të përballen me të gjithë forcën e ligjit.
Ndërkohë, pritet që trazirat të vijojnë dhe autoritetet janë mobilizuar për të tjera demonstrata.