TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Aksionet japoneze rriten me 9% pas rënies globale, tregjet europiane dhe kontratat e së ardhmes në SHBA shënojnë fitime modeste.
Aksionet japoneze u rritën të martën, duke udhëhequr rritjen e tregjeve financiare në të gjithë Azinë, pas rënies së habitshme të bursave, si rrjedhojë e shitjeve globale të një dite më parë (global sell-off*). Më herët edhe aksionet europiane gjithashtu rikuperuan disa nga humbjet e tyre.
Indeksi Topix i Japonisë u mbyll 9.3% më i lartë dhe jeni japonez u stabilizua në rreth 145.70 ¥ kundrejt dollarit, pasi u forcua ndjeshëm në javët e fundit. Nikkei 225 i kompanive të teknologjisë së rëndë u rrit 10.2 %.
Aksionet europiane shënuan rritje të qëndrueshme, me përmirësimin e indeksit në mbarë rajonin Stoxx Europe 600 prej 0.2 %. Kontratat e së ardhmes** në SHBA tregojnë shenja për një rikthim modest, kur bursat të hapen në Nju Jork. Kontratat, që ndjekin S&P 500 dhe Nasdaq 100, u tregtuan 0.8 % më lart.
Kthimi i qetësisë relative vjen pasi tregjet globale ranë ditët e fundit, mes frikës se Rezerva Federale ka qenë shumë e ngadaltë për t’iu përgjigjur shenjave, se ekonomia amerikane po ‘ftohet’ dhe se ajo mund të detyrohet të bëjë lëvizje të shpejta për uljen e normave të interesit, për të ndjekur ritmin e tregjeve financiare ndërkombëtare. Tregu japonez i aksioneve u godit më rëndë, duke rënë me më shumë se 12 % të hënën, disa ditë pas një rritje të papritur të normës së Bankës së Japonisë.
Rimëkëmbja dramatike e së martës në Tokio, ishte aq intensive sa tregtimi i kontratave të së ardhmes së Nikkei dhe Topix u pezullua automatikisht gjatë seancës së mëngjesit të së martës.
“Një ditë e madhe në rënie, pastaj një ditë e madhe në rritje. Askush nuk ka përjetuar një treg kaq të çmendur”, tha Takeo Kamai, kreu i shërbimeve të ekzekutimit në CLSA në Tokio.
“Ndërsa tregu është rimëkëmbur shumë, pasiguria më e madhe mbetet – nëse Banka e Japonisë mund të rrisë sërish normat këtë vit dhe nëse Fed do t’i ulë”.
Shitja globale është përkeqësuar nga problematika e të ashtuquajturës tregti me jen, në të cilën tregtarët kishin përfituar nga normat e ulëta të interesit të Japonisë, për të marrë hua në jen dhe për të blerë aktive me risk më të lartë.
“Në thelb, asgjë e rëndësishme nuk ka ndryshuar për ekonominë japoneze.” tha Ray Sharma-Ong, kreu i zgjidhjeve të investimeve për Azinë Juglindore në Abrdn.
Ndikimet u përçuan në tregjet e tjera aziatike. Indeksi Kospi i Koresë së Jugut shënoi rritje 4.2 % të martën. Indeksi i aksioneve tajvaneze, i cili pati shitjen më të keqe në histori të hënën, u mbyll 3.4 % më lart ndërsa prodhuesi i çipave TSMC u rrit me 8 %.
Tregjet aziatike kishin reaguar “me tepri” ndaj rreziqeve ekonomike të SHBA dhe tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme, thanë zyrtarët e qeverisë së Koresë së Jugut. Ata u zotuan të ndërmarrin veprime të shpejta, për të stabilizuar tregun në rast të paqëndrueshmërisë së tepërt. Në Seul, prodhuesit e çipave Samsung Electronics dhe SK Hynix u rritën përkatësisht 2.2 % dhe 4.4 %.
Të martën, një gamë e gjerë aksionesh në Tokio u rritën, të udhëhequr nga prodhuesi i salsës së sojës Kikkoman, aksionet e të cilit u rritën më shumë se 20 %. Prodhuesi i makinave Honda u rrit më shumë se 14 % dhe prodhuesi i pajisjeve gjysmëpërçuese Tokyo Electron u rrit me më shumë se 16 %.
Rritja e normës së interesit të BoJ javën e kaluar e shtyu jenin më lart dhe shkaktoi një shitje tre-ditore të aksioneve, duke kulmuar në rënien dramatike të së hënës. Deri në mbylljen e së hënës, Topix kishte humbur të gjitha fitimet e tij për vitin, pasi arriti nivelin më të lartë të të gjitha kohërave më 11 korrik.
Tregtarët dhe analistët u përpoqën të shpjegonin skajshmërinë e shitjes së të hënës. “Duhet të ketë disa shitje të detyruara ose teknike, pasi bazat nuk ndryshuan me 11-12 % në një fundjavë,” tha Kiran Ganesh, strateg i shumë-aseteve në UBS. Ai shtoi se e shihte një shitje të mprehtë si një mundësi blerjeje.
Të tjerë, duke përfshirë Nicholas Smith, strateg japonez në CLSA, vuri në dukje ndikimin e ekzagjeruar të programeve algoritmike të tregtimit, të cilat mund t’i jenë përgjigjur në mënyrë specifike lëvizjes së fundit të mprehtë në rritje të jenit.
“Duket sikur ato janë të ndërlidhura me jenin,” tha Smith. “Pas gjithë emocioneve për perspektivat e inteligjencës artificiale (IA), tani duket se IA mund të na ketë futur në këtë rrëmujë.”/ Monitor