BOTA, 9 Maj 2023, 22:07

Bosi i mafias italiane: Unë jam një fermer, për Cosa Nostra-n kam dëgjuar nga gazetat

Bosi i mafias italiane: Unë jam një fermer, për Cosa Nostra-n kam
Matteo Messina Denaro gjatë arrestimit pak muaj më parë

Bosi i mafies italiane, Matteo Messina Denaro pas arrestimit pak muaj më parë, ka mohur se i përket bandës së Cosa Nosta-s, dhe që të ketë lidhje me ndonjë prej akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Mediat italiane shkruajnë se Denaro në dëshminë e tij ka pretenduar se është thjesht fermer dhe se përcaktimin si ‘kreu i Cosa Nostra’-s e kishte parë vetëm në gazeta.

“Unë jam një fermer, për Cosa Nostra-n kam dëgjuar nga gazetat”, është shprehur Denaro.

“Nuk e kam më vendbanimin se më ka anuluar bashkia. Tani jam pa pasaportizim. Kushtet e mia ekonomike? Nuk më mungon asgjë. Unë kam pasur pasuri por m’i kanë marrë të gjitha. Po të kem akoma diçka do ta bëj”, ka thënë ai.

Anti-Mafia Italiane arrestoi pas 30 vitesh në kërkim bosin e mafias famëkeqe Cosa Nostra, Messina Denaro më 16 janar. Ai u arrestua në një klinikë private në Palermo, teksa ishte duke marrë trajtim rreth orës 09:00, ku kurohej nga tumori. Messina Denaro është dënuar dhe gjykuar në mungesë për një sërë vrasjesh, përfshirë edhe ekzekutimin e dy prokurorëve të antimafias, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino në vitin 1992.

Skeda e tij kriminale vazhdon me të tjera ngjarje të rënda si sulmet me bomba vdekjeprurëse të vitit 1993 në Milano, Firence dhe Romë, dhe rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e djalit 11-vjeçar të një mafiozi që ishte kthyer në të penduarin e drejtësisë.

Denaro mbikëqyri gjithashtu shantazhin, hedhjen e paligjshme të mbeturinave, pastrimin e parave dhe trafikun e drogës për sindikatat e fuqishme të krimit të organizuar Cosa Nostra. Ai thuhet se ishte i mbrojturi i Totò Riina, kreut i klanit Corleone, i cili u arrestua në vitin 1993 pas 23 vitesh në arrati. Edhe arrestimi i Denaro është bërë në të njëjtën datë. Por edhe pse në arrati, aktiviteti i Denaro vazhdonte ku mendohet se ai jepte urdhra vartësve të tij nga vende sekrete për ekzekutime dhe trafiqe.