BOTA, 9 Maj 2023, 16:23

Vetëm një tank në Sheshin e Kuq/ Pse parada ushtarake e Moskës është cilësuar si ‘poshtëruese’

Vetëm një tank në Sheshin e Kuq/ Pse parada ushtarake e

Parada vjetore e Ditës së Fitores në Moskë, e cilësuar si një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin e Rusisë, ishte në nivele më të ulëta për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Por saktësisht sa tanke parakaluan sot në Moskë për të treguar fuqinë e saj ushtarake? Ky detaj është kapur nga deputetja ukrainase, Inna Sovsun, e cila postoi në Twitter një video të tankut, që besohet të jetë një T-34 sovjetik që kaloi sot nëpër Sheshin e Kuq të Moskës. Ky veprim ka shkaktuar tallje nga shumë njerëz në mediat sociale, me disa që e kanë cilësuar atë si “poshtëruese”. Për krahasim, më poshtë është një fotografi e automjeteve ushtarake ruse të rreshtuara për një ngjarje të mëparshme të Ditës së Fitores – me disa tanke më shumë se që Moska pa sot.

Ndërkohë, ky detaj ka bërë jehonë edhe në media prestigjioze si Sky News, sipas të cilit vetëm një tank kaloi nëpër Moskë dhe asnjë aeroplan “nuk u ngjit lart” teksa Vladimir Putin foli në një paradë të Ditës së Fitores në Sheshin e Kuq. Duke folur para ushtarëve me uniforma, Putin tha se një “luftë është nisur” kundër Rusisë ndërsa ai shënoi përvjetorin e fitores mbi Gjermaninë naziste në Luftën e Dytë Botërore gjatë së cilës Bashkimi Sovjetik humbi 27 milionë njerëz.

Në një fjalim 10-minutësh, Putin përsëriti mesazhet e njohura që ai ka dhënë shumë herë që nga fillimi i agresionit mbi Ukrainë vitin e kaluar. Ai akuzoi “elitat globaliste perëndimore” për mbjelljen e rusofobisë dhe nacionalizmit agresiv, ndërsa populli ukrainas ishte bërë “peng i një grushti shteti” dhe i ambicieve të Perëndimit. Shefi i Kremlinit nuk adresoi sfidat me të cilat përballet Rusia ndërsa forcat e saj përgatiten për një kundërsulm të madh të pritshëm nga Ukraina ose të përshkruajë ndonjë rrugë drejt fitores.