BOTA, 2 Qershor 2023, 12:44

“Ajo që sapo ju lexova u shkrua nga ChatGPT", kryeministrja daneze shokon parlamentin: Teknologji magjepsëse dhe e tmerrshme (VIDEO)

“Ajo që sapo ju lexova u shkrua nga ChatGPT", kryeministrja
Mette Frederiksen

“Ajo që sapo ju lexova nuk është e imja. As e ndonjë njeriu tjetër”.

Kjo frazë nga kryeministrja daneze Mette Frederiksen gjatë fjalimit në parlament po bën xhiron e botës.

Arsyeja është e qartë: fjalët e folura para kolegëve të mbledhur në sallë ishin shkruar nga ChatGPT dhe askush nuk i kishte vënë re.

Në një kohë kur inteligjenca ka marrë gjithë vëmendjen me tezat katastrofike, Frederiksen donte të provonte chatbot-in më të famshëm për të kuptuar gjithë potencialin e tij.

“Është magjepsëse dhe e tmerrshme ajo që ai mund të bëjë”, u ka thënë ajo kolegëve pasi zbuloi identitetin e vërtetë të shkrimtarit fantazmë.

Megjithatë, ChatGPT është mjaft i përgjithshëm, shkruan Corriere della Sera.

“Ka qenë një nder dhe një sfidë të drejtosh një qeveri të madhe në vitin e kaluar parlamentar”, thuhet në një pjesë të fjalimit,

“Ne kemi punuar shumë për të bashkëpunuar mes palëve dhe për të siguruar një të ardhme të fortë dhe të qëndrueshme për Danimarkën”, vijon fjalimi.

Po ashtu thuhet se “ne kemi marrë hapa për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të garantuar një shoqëri më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse në të cilën të gjithë qytetarët kanë mundësi të barabarta”.

Më pas përmbyllet me: “Edhe nëse jemi përballur me sfida dhe rezistencë gjatë rrugës, jam krenare për atë që kemi arritur së bashku në vitin e kaluar parlamentar”.

Me pak fjalë, nuk duket si një makinë e aftë për të zhdukur njerëzimin me superinteligjencën e saj.

Por qëllimi i Frederiksen ishte tjetër.

Kryeministrja është e shqetësuar për efektet e inteligjencës artificiale gjeneruese te fëmijët.

Aftësia e ChatGPT-së për të kompozuar poezi, për të shkruar esse dhe për të propozuar biseda të tëra mund të pengojë aftësitë sociale të më të rinjve.

Po ashtu mund të shtojë aftësinë për të krijuar dezinformata të besueshme, imazhe aq të rreme sa të duken të vërteta.

Frika e Frederiksen mund të shpjegohet edhe nga të dhënat. Danimarka përcaktohet nga raporte të shumta si kombi më digjital në Evropë dhe një nga të parët në botë, si dhe është vazhdimisht ndër liderët globalë në digjitalizimin e administratës publike.

Është një vend në të cilin 25 për qind e kompanive me të paktën 10 punonjës përdorin inteligjencën artificiale, shifër kjo që shkon në 90 për qind për kompanitë me më shumë se 250 punonjës.

Dhe krahasuar me 5.8 milionë banorë, pret 239 startup-e të dedikuar vetëm në këtë sektor.

Një komb ku anët e errëta të inteligjencës artificiale mund të kenë një ndikim më të madh se në pjesën tjetër të botës.

Ndaj, më mirë ja vlen parapërgatitja.