TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga Barbara Wesel
Boris Johnson është njëri nga përfaqësuesit më të shquar të Brexitit. Por pas grindjes së pafundme në qeverinë britanike premtimet e tij tingëllojnë vetëm bosh dhe optimizmi i tij pa bazë, mendon Barbara Wesel.
Ai kalon dorën në flokët e tij të shpupurisur, citon tabela antike me ligje të Hamurabit dhe përmend mendimtarin John Stewart Mill. Por ndërkohë njihen truket e vogla retorike të Boris Johnsonit: ai bën gjeste madhështore, për të fshehur boshësinë intelektuale dhe mospërfilljen e plotë të fakteve.
Ministri i Jashtëm konsiderohet si njëri nga përfaqësuesit më të shquar të Brexitit, por sa më shumë afrohet largimi nga BE, aq më të fortë bëhen kundërshtarët e tij. Tani Boris Johnsoni lufton për trashëgiminë e tij politike dhe për të ardhmen e tij.
Johnson premton male të praruara
Ai i kupton frikërat e skeptikëve nga pasojat e Brexitit, betohet Boris Johnson. Për t'i fshirë ato me një të rënë të dorës nga tryeza në momentin pasues. Britania e Madhe nuk do të bëhej as ishullore, as më pak e rëndësishme nga pikëpamja strategjike me largimin nga BE. Dhe menjëherë pas kësaj ai pohon me guxim se tregtia me BE nuk është kaq e rëndësishme për ekonominë britanike. E ardhmja ekonomike pret diku tjetër jashtë në botën e madhe, para së gjithash në Azi. "Global" është po ashtu fjala e preferuar e tij. Faktet ekonomike, deputetët konservatorë të Tory nuk i kanë kundërshtuar kurrë: BE është vërtet, me dallim të madh nga të tjerët, partneri më i madh tregtar i Britanisë së Madhe, por këtë pak gjë do ta zëvendësojnë Singapuri dhe të tjerët pas Brexitit pa problem, apo?
Edhe njëherë tjetër u pikturon Johnsoni bashkëatdhetarëve të tij një të ardhme të lavdishme dhe në mirëqenie pa Evropën. Edhe nëse ekonomistët dhe gazetarët i dëshmojnë atij njëqind herë të kundërtën: Borisi e njeh rregullin bazë të propagandës. Një gjë vetëm duhet ta përsëritësh mjaftueshëm dendur, që të konsiderohet e vërtetë.
Johnsoni lufton për trashëgiminë dhe për të ardhmen e tij
Shumica e britanikëve e njohin tashmë raportin e tensionuar të Boris Johnsonit me të vërtetën dhe trajtimin tepër të shpenguar që u bën ai fakteve të rëndësishme politike. Si ministër i Jashtëm ai ka kohë që është diskredituar. Por edhe si kryebrexitas ai ka humbur çdo besueshmëri. Interesi i tij kryesor para së gjithash është që të pengojë një referendum të dytë dhe që të nxisë ambicien e tij. Johnsoni vazhdon të besojë se në fakt fati e ka caktuar që të jetë kryeministër dhe se në fund mund të bëhet pasardhës i Theresa May-t.
Brexiti duhet të jetë i ashpër, është mesazhi i tij, përndryshe gjithçka do të jetë e kotë. Vetëm e çliruar nga vargonjtë e marrëveshjeve dhe rregullave evropiane mund të ngrihet Britania e Madhe si shqiponjë në ajër. Kështu flet dikush që ose nuk kupton asgjë nga ekonomia botërore ose që e paraqet veten me qëllim si injorant. Në fund mbeten vetëm fjalë të marra të një kryemjeshtri të premtimeve boshe. Gjithçka do të rregullohet? Këtë nuk duhet ta besosh, kur përcjellësi i këtij mesazhi është Boris Johnsoni.
Qeveria ishte dhe mbetet e përçarë
Johnsoni duhet të jetë tani i pari që të tregojë ato që mendon lidhur me Brexitin e tij. Ministra të tjerë dhe në fund vetë kryeministrja duan të paraqesin në ditët në vijim strategjinë e tyre të Brexitit. Ajo vjen e vonuar me muaj të tërë, aq më tepër kur nuk pritet një plan i besueshëm: kabineti është dhe mbetet i përçarë.
Brexiti është vendimi më i rëndësishëm në historinë më të re të vendit, thonë vëzhguesit britanikë. Por qeveria në Londër dështon dhe nuk është e përgatitur për përgjegjësinë e saj. Lufta për Brexitin po e copëton vendin, po i përçan Tory-t dhe po e helmon klimën politike. Kjo vetëm mund të keqësohet në kuadër të negociatave me Brukselin muajt e ardhshëm.