TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Gardist i Berishës dhe deputet i Ramës?

Kryebashkiaku i PS-së, Agron Malaj do të japë dorëheqjen nesër nga posti i tij si kreu i Bashkisë së Matit dhe detyrat pritet t’i kalojnë zv/kryetarit të bashkisë deri në zgjedhjet e reja. Largimi i tij apo i Tërmet Peçit të Tepelenës, apo Ervin Demos së Beratit, ishte paralajmëruar që të dielën kur Rama takoi hierarkët socialist te Vila 30 dhe do të zyrtarizohet nesër, kur Këshilli Bashkiak i Matit ka njoftuar mbledhje të jashtëzakonshme në orën 10.00.
Agron Malaj njihet si “parja e kuqe” jo se është edhe pushtetar vendor dhe biznesmen, por se më 21 janar 2011 ishte gardist i Berishës, komandant seksioni i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës në protestën e 21 Janarit që akuzohet se qëlloi në mish mbi protestuesit te kryeministria, duke lënë 4 të vrarë dhe dhjetra të plagosur. Por kjo nuk e pengoi kryesocialistin që pas vitit 2013 ta gradonte në administratë, fillimisht si drejtor i OSHEE-së në Mat dhe më pas si kryetar bashkie për dy mandate. Dhe si thotë populli, e treta e vërteta. Ai kërkon tani një mandat si deputet i Ramës edhe pse dikur qëllonte me urdhër të Berishës.
Missi i Petro Koçit

Petro Koçi është shumë i zemëruar dhe i lënduar. Ndoshta po aq sa në pranverën 1997 kur paramilitarët e Berishës ia qethën kokën si nanoist i thekur.
Lajmëroi se do të japë dorëheqjen nga mundësia e kandidimit si deputet për PS-në e Edi Ramës, sepse nuk i kanë lënë vend ku të “ngulet”. Tha se në Kombinat, aty ku ishte, kanë sjellë Blendi Gonxhen që iku nga Dibra dhe mirë bënë që e kanë sjellë u shpreh ai, por nuk i kanë lënë hapësirë. U shpreh se: “Nuk jam shoqërues missi unë, por nëse partia më thotë bëje, unë e bëj shumë mirë, por duhet një përcaktim më i qartë”. Po missi në listat e PS-së kush është? Blendi Gonxhja?
Tha edhe që persona nën hetim nga SPAK të mos kandidojnë. Tekstualisht: “E shfrytëzoj këtë komunikim publik për t’i bërë thirrje çdo kolegu, deputet ose jo, që ka probleme hetimore serioze me SPAK të mos kandidoje në këto zgjedhje”. Me kë e ka vallë?
Deri tani nuk ka përmendur emra, siç bënte edhe më 16 korrik 2021 kur denonconte se në Fier “duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike” apo më shkoqur, sërish pa emra se “Protagonistë të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tenderë publike. Këtë e realizojnë ose nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh ose nëpërmjet kërcënimit të zyrtarëve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet si edhe nëpërmjet eliminimit të konkurrentëve në procesin e tenderimit duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit”.
SPAK i drejtuar atëherë nga Arben Kraja tha se kishte nisur një hetim, por edhe pse kanë kaluar 4 vite, nuk është bitisur akoma.
Megjithatë Petro nuk ka ikur nga partia: “Unë do punoj me sa më ha krahu dhe kudo më shpien këmbët për fitoren e PS në zgjedhjet e 11 Majit”- tha ai dje në letrën e (jo)lamtumirës.