BLOG, 23 Janar 2025, 14:45

Mesazhi i drejtuesve të PD-së në promovimin e librit për diktatorin

Mesazhi i drejtuesve të PD-së në promovimin e librit për

Një ditë më parë në Tiranë u promovua me bujë një libër i dy autorëve azerë për ish-udhëheqësin, Hajdar Alijev, babain e sunduesit autokrat të Azerbejxhanit të sotëm, Ilham Alijev.

Libri i sjellë në shqip “Nën ditën e kujtimeve”, bëri bashkë diplomatë, botues, politikanë dhe studiues të letërsisë, mes tyre edhe përfaqësues të Partisë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha. Deputetë dhe drejtues të saj si Flamur Noka, Klevis Balliu, apo Ina Zhupa ishin në radhët e para të akvitetit promovues. Madje, kjo e fundit, dha edhe vlerësimet e saj, mes një shënimi të shkurtër dhe fotove ku shkruhej:  

“Kujtimet e presidentit Alijev që krijoi Azerbajxhanin modern ka ardhur edhe në shqip. Përmes botimit pasqyrohen shënimet takimet dhe zhvillime të tjera të aktivitetit të tij politik

“Nën dritën e Kujtimeve” titullohet libri që sjell kujtime personale mbi jetën e Hajdar Alijev, një prej figurave më të rëndësishme të Azerbajxhanit”.

Është në të drejtën e saj që ambasada e Azerbajxhanit të organizojë një aktivitet promovues për njërin prej liderëve të vendit të përfaqëson dhe këtu s’ka asnjë të keqe. Edhe prania e botuesve apo e historianëve është e mirëkuptueshme, sepse është një botim i ri i sjellë në shqip dhe mund të diskutohet për shqipërimin apo jetën dhe veprën e ish-udhëheqësit. Por prania e drejtuesve të opozitës në një aktivitet të tillë lë një shije të hidhur.

Ish-udhëheqësi azer është renditur në analet e historisë si njëri prej diktatorëve të shumtë që ka patur dhe ka ende bota. Hajdar Alijev ishte udhëheqësi politik i Republikës Socialiste të Azerbajxhanit në vitet 1969-1982, dhe më pas presidenti i tretë i saj në periudhën tetor 1993- 2003.

Ishte një nga zyrtarët e lartë të KGB-së famëkeqe, duke shërbyer për të për 28 vjet, qeverisi Azerbajxhanin Sovjetik në periudhën 1969-1982 si sekretar i Parë i Partisë Komuniste të Azerbajxhanit. Madje ai shërbeu edhe si zëvendëskryeministër i parë i Bashkimit Sovjetik në vitet 1982-1987, duke patur marrëdhënie të ngushta me udhëheqësit sovjetikë të asaj kohe, Leonid Brezhnev and Yuri Andropov.

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjektik, Alievi nuk erdhi në pushtet me zgjedhje të lira dhe demokratike, por me një grusht shteti në 1993, duke rrëzuar presidentin e zgjedhur Abulfaz Elchibey, i cili kishte qenë një disident dhe udhëheqës nacionalist i zgjedhur vetëm një vit më parë.

Instalimi i Alijevit si president ndërpreu ende pa nisur rrugëtimin demokratik të Azerbajxhanit të pavarur dhe ai përmes një procesi zgjedhor të dyshimtë u zgjodh president me rreth 99% të votave.

Regjimi i tij prej asaj kohe është përshkruar si diktatorial dhe represiv dhe në vend i instalua kulti i njëshit që vijoi edhe pas vdekjes së tij në vitin 2003, pasi i biri mori pushtetin.

Ilham Alijev, pas shkollimit në Moskë dhe dështimit për të gjetur punë në kryeqytetin rus dhe në Stamboll u kthye në Baku pas ardhjes së të atit në pushtet në vitin 1993 dhe një vit më vonë do të emërohej zv.president i kompanisë shtetërore të naftës SOCAR, duke lidhur ngushtë marrëdhëniet me SHBA, Turqinë dhe vendet e BE-së që çuan në ndërtimin e gazsjellësve.

Pas vdekjes së të atit më 31 tetor 2003 ai e pasoi si president post që e mban prej asaj kohe. Në qeverisjen e tij vendi përfitoi nga të ardhurat e shumta prej naftës dhe gazit, por gjithashtu u shtua korrupsioni dhe presioni politik ndaj opozitës. Pasi u rizgjodh në 2008, në zgjedhjet e bojkotuara nga opozita, Alijev mbajti një referendum për të hequr mandatet e presidentit dhe për të shtuar kufizime të reja ndaj medias. Ai u rizgjodh pa problem në vitin 2013, dhe në 2016 zgjati mandatet presidenciale në kushtetutë nga 5 në 7 vite dhe emëroi bashkëshorten si zëvendëspresidente në vitin 2017, ndërsa fitoi mandatin e katërt në 2018.

Ai fitoi reputacionin e “diplomacisë së havjarit”, duke përdorur pasurinë dhe lidhjet e biznesit për të fituar përpkrahjen e medias të huaj, investitorëve dhe politikanëve. 

Falë mbështetjes së Turqisë, por edhe të Izraelit me armatime dhe dronë, forcat e tij shpartalluan forcat armene në rajonin e Nagorno-Karabakh, të njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Axerbajxhanit dhe pas fitores së bujshme thirri në shkurt 2024 zgjedhjet presidenciale, 20 muaj para mbylljes së mandatit, të cilat sigurisht i fitoi.

PD dhe Sali Berisha kanë patur me Azerbajxhanin dhe presidentin aktual Alijev marrëdhënie shumë të ngushta biznesi, të cilat i çoi më tej Edi Rama dhe qeveritë e drejtuara prej tij. Gjatë qeverisjes së PD-së në vitet 2005-2013 Shqipëria u bë pjesë e projektit të gazsjellësit TAP nga Azerbajxhani drejt Italisë, që çon energjinë në Evropën Perëndimore. Por Shqipëria ka mbetur, edhe pas 11 viteve në pushtet të Ramës, që viziton rregullisht bashkë me ministrat Bakunë dhe Alijevin, jashtë procesit të gazifikimit, duke sjellë dëme të mëdha për vendin dhe sot opozita e sotme dhe pretendentja për qeverinë e nesërme, implikohet me zell në hyjnizimin e figurës së një ish-udhëheqësi sovjetik të konsideruar diktator, që ia pasoi pushtetin të birit, një sistem politik që PD propagandon prej 34 vitesh se e rrëzoi në dhjetorin 1990, por duke treguar se nuk ndahet dot nga diktatorët dhe autokratët.