AKTUALITET, 11 Korrik 2018, 09:35

BIRN zbulon tjetër manipulim/ Si u transformua deklarata e Enver Petrovcit për prishjen e teatrit

BIRN zbulon tjetër manipulim/ Si u transformua deklarata e Enver Petrovcit

Në një rast tipik dizinformimi, më datë 1 korrik 2018, media shqiptare

në internet u mbush me lajmin me titull: “Enver Petrovci: Për mua

është budallallëk mos me u ndërtu një teatër i ri!” Që nga ajo ditë,

Petrovci, 64 vjeç, i cili është i njohur mes të tjerash për rolet e

Hamletit, Makbethit dhe Jul Cezarit nga veprat e Shekspirit, krahas

dhjetëra filmave, është përpjekur ta përgënjeshtrojë lajmin e

publikuar duke thënë se ai është nxjerrë nga konteksti dhe nuk ka

mbështetur në kurrfarë mënyre planin e qeverisë aktuale për të

shembur teatrin ekzistues, për të dhënë tokën e tij për ndërtim

pallatesh dhe për të ndërtuar një teatër të vogël në një pjesë të

mbetur të kësaj toke.

Pyetur nga BIRN përmes telefonit, Petrovci tha se një gazetare, e cila

nuk i ishte prezantuar me emër dhe mbiemër dhe as nuk i kishte

thënë se për kë media punonte, e kishte pyetur në përgjithësi nëse

mendonte se Tiranës i nevojitej një teatër i ri.

“Unë i thashë po, Tiranës i duhet një teatër,” shpjegoi Petrovci për

BIRN, duke argumentuar se ai foli për mënyrën se si një vend duhet

të ndërtojë një teatër kombëtar. “I thashë se teatri duhet të jetë një

ndërtesë të cilës publiku i qaset nga të gjitha anët,” shtoi ai. “I thashëgjithashtu se mendoj se ideale do të jetë që në Tiranë një teatër i tillë

të ndërtohet te “Taivani” ose te “Piramida”. Nuk i thashë që mbështes

shembjen e teatrit kombëtar aktual,” tha Petrovci. Sipas tij, një

ndërtesë teatri nuk duhet të ketë asnjë ndërtesë tjetër afër, duke

dhënë shembullin e Teatrit Kombëtar të Zagrebit.

Pas publikimit të “lajmit” në shumë portale të Tiranës dhe Kosovës,

Petrovci tha se ishte përpjekur ta përgënjeshtronte lajmin duke

kontaktuar media të ndryshme por pa efekt.

“Desha t’i them kryeredaktorit që ta qesë nga puna atë gazetaren, por

nuk ia dola”, tha Petrovci. I mërzitur me rrengun, Petrovci tha se

është betuar se nuk do të japë më asnjëherë interevistë përmes

telefonit për asnjë gazetar.

BIRN nuk ishte në gjendje të identifikonte gazetaren që bëri

telefonatën te Petrovci dhe as median që e publikoi lajmin e para. Nga

kërkimi në Google rezulton se lajmi është botuar në shumë media dhe

në asnjë rast nuk ka emër autori. Në raste të ndryshme, në fund të

shkrimit ka iniciale të ndryshme. Në Agjencinë Telegrafike

Shqiptare lajmi është botuar me akronimet a.g në fund ndërsa në

shumë portale të tjera është botuar pa emër dhe pa burim.

Shqipëria është zënë nga debati mbi planin e qeverisë për të

shkatërruar teatrin ekzistues dhe për të dhënë tokën publike me

koncesion për një kompani private për të ndërtuar disa pallate dhe një

teatër të ri.

Javën e kaluar, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro falënderoi ata që

ajo i quajti, një listë me artistë që mbështesnin planin e qeverisë,

duke paraqitur një peticion dhe një listë me emra pa firma. Por i pari

në listë, aktori legjendar Pirro Mani, sipas bashkëshortes së tij Pavlina

Mani të pyetur nga Gazeta Shekulli, rezultoi se gjendet në Shtetet e

Bashkuara të Amerikës në pleqëri të thellë dhe nuk kishte firmosur

kurrfarë dokumenti.

Asnjë nga mediat që publikoi lajmin mbi deklaratën e Petrovcit nuk

rezulton të ketë publikuar sqarimet e tij mbi keqpërdorimin e

deklaratës./Reporter.al