AKTUALITET, 15 Prill 2020, 13:15

Bill Gates "shuplakë" Trumpit: Ndalimi i fondeve, i rrezikshëm. Bota ka nevojë më shumë se kurrë për OBSH-në!


Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njftoi vendimin, për të ndalur financimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deri në momentin e përfundimit të një shqyrtimi të veprimtarisë së kësaj organizate, në lidhje me koronavirusin Covid-19.

Sot, po udhëzoj administratën time, të ndalë financimin e OBSH-së, ndërkohë që kryhet një shqyrtim, për të analizuar rolin e OBSH-së, në keqmenaxhimin e rëndë dhe fshehjen e përhapjes së koronavirusit“, u shpreh Presidenti.

Trump tha se SHBA jep një kontribut financiar për OBSH-në, në vlerën e 400-500 milionë dollarë, ndërsa po sipas tij, Kina kontribuon me vetëm 40 milionë dollarë.

Nëse OBSH, do të kishte bërë detyrën, për të çuar mjekë ekspertë në Kinë, për të analizuar në mënyrë objektive situatën në terren dhe të ekspozonte mungesën e transparencës nga ana e Kinës, përhapja e virusit do të ishte kontrolluar që në gjenezë, me fare pak vdekje“, tha Presidenti.

Lidhur me këtë vendim të paprecedent të Presidentit të SHBA-ve, në mes të një pandemie, ka reaguar bashkëthemeluesi i "Microsoft", Bill Gates.

Me anë të një postimi në Twitter, Gates e konsideron vendimin e Trump, si "të rrezikshëm" dhe shprehet se bota ka nevojë më shumë se kurrë për Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

"Ndalimi i fondeve për OBSH-në gjatë një krize shëndetësore botërore, është aq e rrezikshme sa tingëllon. Puna e tyre, po e ngadalëson përhapjen e Covid-19 dhe nëse kjo punë ndalet, asnjë organizatë tjetër nuk mund t'i zëvendësojë. Bota ka nevojë për OBSH-në, sot më shumë se kurrë", shkruan Gates.

Vendimi i Trump për të ndalur financimin ndaj Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vjen në një kohë kur SHBA dhe mbarë bota, po përballen me një pandemi dhe një krizë të thellë. SHBA është goditur veçanërisht rëndë nga Covid-19 dhe deri në këto momente, numëron 26,064 të vdekur dhe rreth 614 mijë persona të infektuar.

Me rastin e pandemisë së Covid-19, ne kemi shqetësime të thella, nëse bujaria e SHBA-së, është përdorur ose jo, në mënyrë më të mirë të mundshme“, tha Trump, kur njoftoi vendimin e tij.

Nuk është hera e parë, që Presidenti Trump vë në pikëpyetje financimin e SHBA, ndaj organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Ai vendosi tërheqjen e SHBA-së nga marrëveshja e klimës dhe ka ngritur pikëpyetje rreth financimit të OKB-së gjithashtu.

/TPZ.al/