AKTUALITET, 24 September 2026, 10:51

Berisha në Parlament: Vlora Hyseni, anëtare e grupit të tij kriminal! Agasi kontrollonte të gjitha sekretet e shtetit dhe të SHISH

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi Parlamentin si një institucion të Ergys Agasit, biznesmenit të akuzuar nga SPAK si kreu i grupit kriminal në AKSHI, bashkë me personat e tjerë të marrë të pandehur.

Në fjalën e tij në Parlament, kryedemokrati tha se siguria e vendit është shembur, pasi drejtuesja e SHISH rezultoi anëtare e grupit të Agasit.

“Sot parlamenti mblidhet si parlamenti i Ergys Agasit, si parlamenti më i papërgjegjshëm në tërë historinë kombëtare të ndonjë vendi. Sot, për çdo qytetar shqiptar, që i thotë vendit vend, sigurisë siguri, çështja e të gjitha çështjeve është shembja totale e sigurisë së vendit pasi kryetarja e shërbimit informativ rezulton një anëtare e poshtër e grupit të strukturuar kriminal Agasi”, tha Berisha.

Berisha tha se Agasi kishte të gjitha sekretet e shtetit dhe SHISH.

“Po, sepse ai kontrollonte si asnjë tjetër në Shqipëri dhe në Evropë, të gjitha kartelet e drogës, të gjithë internetin e territorit të vendit, të gjitha sekretet e këtij shteti dhe SHISH-in. Ai kishte fuqi të pakufizuar dhe këtë fuqi e kishte nga Padrino i vendit. Rasti i Vlora Hysenit është i treti rast në botë, është El Polo i Venezuelës që punoi me kartelet, është shefi i shërbimit të Guinesë Bisau, të cilën kartelet amerikano-latine e shndërruan në narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Afrikë, dhe tani vjen Vlora Hyseni, ky personazh i përçudnuar, që pasi shkarkohet nga detyra në një vend demokratik, për motive të forta, po ato motive e sjellin atë këshilltare të Padrinos dhe më pas e sjellin në krye të SHISH.”, tha Berisha.

Ai e cilësoi emërimin e Hysenit në krye të SHISH si jashtë kritereve, ndërsa e cilësoi edhe si shërbëtore të Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç.

“E kam deklaruar në atë kohë, e deklaroj edhe sot, ajo ishte një shërbëtore e Vuçiçit dhe Edi Ramës. Por kjo është njëra anë, ana më e zezë është se njeriu që kishte për detyrë sigurinë e vendit dhe qytetarëve të këtij vendi, bashkëpunonte me hanxharët e krimit, ishte një ushtare e hanxharëve të krimit. Ishte ushtare e një organizate më të rrezikshme kriminale. Ishte njeriu që lëshonte në duart e bandave çdo sekret të këtij shteti. Ishte njeriu që me porosi të Ergys Agasit shkarkonte secilin prej jush”, tha Berisha.