TEJ E KETEJ, 2 Dhjetor 2020, 23:27

Bejdo Malo: Ja ku fshihet suksesi i Syri Tv! Jam i mahnitur nga geni i madh i Çim Pekës, por edhe nga djersa e derdhur pa kufi!


Ndërkohë që pandemia sa vjen dhe po e çon kurbën në maja të frikshme,  gazetari në trajtë moderatori i televizionit "Fax News", të zotni Kasem Hysenbelliut, Bejdo Malo, për shumë ditë me rradhë, është përpjekur dhe s'ka lënë gjë pa bërë, për të përfituar një fotografi, me gazetarin e famshëm, Çim Peka.

Ju bëjmë me dije, se përpjekjet e Bejdos, për të dalë në fotografi me Çimin, i kalojnë edhe përpjekjet dhe lobimet e mëdha dhe të mundimshme, të Edi Ramës dhe Lul Bashës, për të dalë në fotografi, respektivisht me Obamën dhe Trumpin.

Më në fund, pas përpjekjeve të jashtëzakonshme, këmba e mbarë e Bejdos, pikërisht të premten më 27 nëntor 2020, shkeli në Syri Tv dhe siç zbulon ai vetë, "piu një kafe të ëmbël dhe me zemërbardhësi" me vetë zotni Çimin.

-Në zyrën e tij...pashë një mrekulli, një superarritje pasioni, përkushtimi, mundi, djerse saktifice, sfide, këmbëngulje dhe një realizim të një ëndërre të një gazetari që kishte harritur majën e Gjallicës....falë genit familjar, aftësive të tij profesionale dhe përvojës së vyer...urime zoti Peka....për atë që keni arritur duke bërë një tv me infrastrukturë moderne por dhe me përmbajtje moderne...- shkruan Bejdo me dorë dhe me këmbë bashkë.

I pyetur, se përse ky njeri, respekton vetëm Çim Pekën dhe jo njeriun tjetër shumë të rëndësishëm të këtij televizioni, zotni Andi Bejten, përgjigja e Bejdos, është e menjëhershme dhe tepër e vrazhdë:

- Ç'është kjo pyetje pa kuptim?! Andi Bejtja është një përkthyes, që në zyrën e Çimit hyn vetëm kur ka ndonjë përkthim, sidomos për kuksianët që jetojnë në Londër, ose Amerikë.

PS. Siç e kemi bërë zakon, ju lutemi, lexojeni edhe njëherë më poshtë, furçën gjithëlëpirëse të gazetarit Bejdo për Çimin tonë të dashur dhe genin e tij!

/TPZ.al/Tej e Këtej/