TEJ E KETEJ, 16 Nëntor 2020, 20:03

Komiteti i Ekspertëve, kërkesë urgjente për tre copë vaksina; për Ramën, Fevziun dhe Kol Ballën 

Komiteti i Ekspertëve, kërkesë urgjente për tre copë


Komiteti Teknik i Ekspertëve të koronavirusit shqiptar, me në krye zonjën e nderuar Mira Rakacolli, u ka dërguar sot në mesditë, një letër në formë kërkesë-lutje, dy kompanive që kanë krijuar vaksinat kundër Covid-19, respektivisht kompanisë gjermane Pfizer & BioNTech dhe kompanisë amerikane, Moderna.

Tekstin e plotë të lutje-kërkesës të Komititetit Teknik të Ekspertëve të koronavirusit shqiptar, e siguroi korrespodenti i rubrikës tonë satirike, "Tej e Këtej".

Ja pak a shumë teksti i kësaj letre urgjente:

Fort të nderuar shkëlqesinj shkencëtarë, por edhe prodhues të vaksinave kundër Covid-19!

Duke ju përgëzuar thellësisht në emër të popullit shqiptar, për gjetjen e këtyre dy vaksinave dhe më vonë edhe dhjetë të tjerave, që do të shpëtojnë botën mbarë, ne Komiteti Teknik i Ekspertëve të koronavirusit shqiptar, ju lutemi, në formë përgjërimi, të rezervoni për ne, pra Shqipërinë dhe popullin shqiptar, tre copë vaksina të prodhimit të ditës së parë, për tre raste që nuk mund të presin asnjë minutë më shumë, për shkak të rëndësisë së posaçme që ata mbartin.

Shkëlqesinj shkencëtarë!

Personi i parë që duhet ta marrë vaksinën, një dakikë e më parë, është lideri ynë, i pazëvendësueshëm, udhëheqësi i rrallë i këtij populli të shumëvuajtur, kryeministri ynë, zoti Edi Rama.

Siç ju kemi thënë më lartë dhe siç po ju themi edhe këtu poshtë, ta ruajmë Ramën tonë, por edhe tuajin në ditën që do të vijnë, nga kjo flamë e madhe që ka pushtuar botën!

Duke ruajtur Ramën, ju shkëlqesinj shkencëtarë dhe njëkohësisht prodhues, keni ruajtur jo vetëm udhëheqësin, por edhe arkitektin e koncesioneve dhe PPP-ve moderne të së ardhmes, këto vepra, që po ndërton privati me paratë e shtetit në Shqipëri, një gjë e rrallë dhe e panjohur kjo deri më sot, për njerëzimin.

Duke siguruar jetën e udhëheqësit tonë, ju të nderuar shkencëtarë dhe prodhues të vaksinës kundër Covid-19, keni siguruar njëkohësisht jetën e piktorit, skulptorit, oratorit, shkrimtarit, gazetarit, analistit, basketbollistit, Faik Konicistit, Fan Nolistit, etj, etj, me pak fjalë, jetën e gjithëbërësit dhe mrekullibërësit. 

Shtojeni pra tek 100 vaksinat e para të listës tuaj, Edin tonë!

Shkëlqesinj shkencëtarë! 

Dy vaksinat e tjera që duhet të autorizoni për Shqipërinë (këto të dyja mund të jenë edhe nga ato me efekt 90%) edhe këto në ditën e parë të prodhimit, ne si Komitet, kërkojmë që t'jua dedikoni dy personaliteteve shumë të rëndësishme, me vlera të rralla në fushën e medias shqiptare, por edhe më gjerë.

Këto dy pesha të rënda vipore, janë dy banorët dhe shëtitësit më të rëndësishëm të të gjithë botës dhe cepave të saj, fjala është për të të famshmit, Blendi Fevziu dhe Sokol Balla.

Me rënien e Covid-19, me mungesën e tyre, bota ka humbur një pjesë të rëndësishme të shkëlqimit të saj. Kjo të nderuar shkencëtarë, sepse po mbushet një vit, që ata janë kyçur në Shqipëri dhe bota është depresuar, që nuk i sheh dot më. 

Me kyçjen e tyre, kanë filluar të kalben nëpër dollape edhe veshjet e panumërta firmato të koleksioneve të fundit, që ata i tregonin botës në çdo udhëtim. Të vjen ndonjëherë për të qarë, kur shikon Fevziun, që i vesh firmatot, kur del me Opinionin nëpër fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë, duke u takuar me banorët, kryesisht fshatarë, të cilët nuk e kuptojnë aspak modën dhe firmatot. 

Në Krujë përshembull, para disa ditësh, kur fshataro-qytetarët, panë Fevziun me një xhup blu të ndezur super firmato, "Moncler" dhe me një palë atlete kontemporane, me pjesën poshtë shumë të trashë si zinxhir traktori, u trishtuan shumë, sepse menduan që Fevziun tonë e kishte mbërthyer varfëria dhe kishte veshur plaçkë demode. 

Ndërsa Sokol Ballës, jo vetëm që po i kalben rrobat firmato, që s'ka ku t'i veshë, por po i zbardhen edhe tatuazhet që ka nëpër krahë, sepse s'ka ku ti demonstrojë. 

Këto janë pak a shumë shkëlqesinj shkencëtarë dhe prodhues të vaksinës Covid-19, arsyet pse ne dhe gjithë Shqipëria, presim me ankth dërgimin sa më parë, të tre copë vaksinave, me rëndësi të posaçme, jo vetëm për këta tre persona, por për fatet e vendit tonë.

Në pritje të vendimit tuaj.

Me konsideratë!

Komiteti Teknik i Ekspertëve,

Kryetarja dhe doktoresha e mendjes së Edi Ramës,

Mira Rakacolli

(dora vetë) 

/TPZ.al/ Tej e këtej/