BOTA, 20 Tetor 2017, 17:54

BE refuzon vazhdimin e bisedimeve të Brexit, pavarësisht përpjekjeve të May

Një përpjekje e fundit e kryeministres britanike, Theresa May për të bindur 27 vendet e tjera të BE-së për vazhdimin e bisedimeve të Brexit për në fazën tjetër, duket se ka rënë në vesh të shurdhër, duke gjykuar nga reagimi i i disa prej liderëve të Bashkimit Evropian, sot në mëngjes.

May u kërkoi dje liderëve të BE-së për vazhdimin e bisedimeve lidhur me marrëdhëniet e ardhshme të Britanisë së Madhe me bllokun e BE-së, pavarësisht faktit që çështjet kyçe të largimit të saj nga Bashkimi Evropian kishin mbetur ende të pazgjidhura.

“May përcolli një apel miqësor dhe të sinqertë, duke shprehur dëshirën për të vazhduar më tej me bisedimet e Brexit, kështu që unë mendoj se kjo është vlerësuar”, tha kryeministri i Maltës, Joseph Muscat.

Më vonë, pritet që 27 liderët të miratojnë një deklaratë duke pranuar vrullin e ri të bisedimeve dhe pranimin e fillimit të bisedimeve të brendshme përgatitore brenda të ashtuquajturës BE-27 mbi një marrëdhënie të mundshme në të ardhmen.

Megjithatë, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet tri çështjeve thelbësore të cilat nuk kanë patur një progres të mjaftueshëm si, të drejtat e qytetarëve, kufiri irlandez dhe zgjidhja financiare dhe tregtia, që do t’u lejojë palëve të nisin bisedimet mbi një marrëdhënie të ardhshme.

TPZ.AL