BOTA, 19 Tetor 2017, 10:06

Zjarret vranë 41 portugezë, dorëhiqet ministrja e Brendshme

Zjarret vranë 41 portugezë, dorëhiqet ministrja e Brendshme

Kriza e zjarreve në Portugali, me dhjetëra viktima të regjistruara brenda pak ditëve, e ka çuar ministren e Brendshme drejt dorëheqjes. Constança Urbano de Sousa shpjegoi se ka vendosur të largohet për të ruajtur në këtë mënyrë “dinjitetin e saj personal”.

Ministria e drejtuar prej saj është përgjegjëse për zjarrfikësit dhe Agjencinë vendase të Mbrojtjes Civile, që të dyja të kritikuara ashpër për mënyrën e menaxhimit të situatës.Shpërthimi i zjarreve masive pyjore në vend, ditët e fundit ka marrë 41 jetë njerëzish. Katër persona vdiqën në Spanjën fqinje nga flakët e ushqyera edhe prej erërave të forta të stuhisë “Ophelia”. Të plagosurit janë me qindra.

Për Portugalinë, kjo ishte tragjedia e dytë e këtij lloji brenda vitit, pas zjarreve të fuqishme të muajit qershor, që vranë më shumë se 60 vetë. De Sousa u përball edhe atëherë me thirrjet për largim nga posti.