SPORT, 13 Prill 2020, 12:32

Basti i gabuar i kryeministrit

Basti i gabuar i kryeministrit


Nga Eno Bozdo

Disa ditë më parë, Kristalina Georgieva, shefe ekzekutive e FMN, deklaroi se kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia do të shpaloset si kriza më e rëndë ekonomike globale pas Depresionit të Madh të vitit 1930. FMN parashikon që rënia ekonomike do të mund të rikuperohet pjesërisht vetëm në vitin 2021.

Në të njëtën kohë, Roberto Azevedo, drejtuesi i OBT (Organizatës Botërore të Tregtisë) deklaroi se për shkak të pandemisë, tregëtia botërore do të reduktohet këtë vit me afro një të tretën e saj në volum.

Kombet e Bashkuara deklaruan gjithashtu se 2,4 miliardë njerëz, që përbëjnë rreth 80% të forcës së globale të punës, kanë humbur plotësisht apo pjesërisht vendin e tyre të punës.

Në një analizë të detajuar të UniCredit, një nga grupet financiare më të mëdha në Evropë, publikuar në datën 2 prill, parashikon se PBB -ja globale këtë vit do të ulet me 6%.  Europa do të shënojë një rënie në PBB e saj me 13%, ShBA me 11%. Këto janë vlerësime bazuar në supozimin se kriza primare pandemike nuk do të zgjasë më shume se muaji maj i këtij viti.

Kjo panoramë shumë e zymtë globale mund të ketë shumë të panjohura, por të gjithë bien dakord se kriza dhe pasojat e saj do të zgjasin shumë, me shumë gjasa më shumë se një vit.

Në këtë klimë zhvillohet edhe debati publik mbi krizën ekonomike në Shqipëri, mënyrën sesi qeveria po reagon dhe vështirësitë që ekonomia po has. Në këtë debat qartazi tashmë mund të dallohen dy “llogore”: nga njëra ana qëndron opozita sëbashku me pjesën dërrmuese të shoqatave dhe organizatave të biznesit në Shqipëri si dhe me ekspertët e pavarur të ekonomisë. Nga ana tjetër qëndron qeveria socialiste.

Opozita, ekspertët dhe shoqatat e biznesit, kanë mbajtur qëndrimin thuajse të njëjtë ku theksohet se paketa primare e ofruar nuk plotëson as nevojat fillestare për përballimin e krizës dhe si e tillë duhet rishikuar sa më parë nga ana e qeverisë për tu rritur së paku disafish. Shoqatat e biznesit gjithashtu i kanë kërkuar qeverisë të ulen në bisedime përpara se ajo të ndërmarrë hapa të pakonsultuar në të ardhmen.

Opozita e ka argumentuar këtë qëndrim jo vetëm duke bërë një analizë të kësaj paketë nga pikëpamja e mbulimit të sektorëve të veçantë të ekonomisë dhe shoqërisë, por edhe duke marrë në referencë atë që vendet e tjera të ngjashme me Shqipërinë po bëjnë. Maqedonia dhe Kosova, pavarësisht faktit se kanë ekonomi më të vogla apo ndjeshëm më të vogla se Shqipëria, kanë ofruar paketa ndihme ekonomike disa herë më të larta se qeveria socialiste e Edi Ramës.

Gjatë kësa kohe, kryeministri ka shfaqur një sjellje të dyzuar.  Fillimisht ai ka qënë shumë aktiv kur bëhej fjalë për vënien në lëvizje të instrumentëve që nuk janë në kompetencë të tij. Kështu për shembull dy javë më parë, ai nënshkroi një letër (udhëzim ndoshta?) të përbashkët me guvernatorin e Bakës së Shqipërisë. Duhet të jetë e vetmja letër e këtij lloji ndonjëherë (thesar i vërtetë për koleksionistët, besoj), e firmosur njëkohësisht nga kryeministri dhe guvernatori, ku i këshillohet bankave të nivelit të dytë të konsiderojnë pezullimin disa mujor të afateve dhe interesave të kredive të bizneseve në këto banka.

Më pas, pavarësisht presionit politik dhe publik të bërë nga opozita dhe shoqatat e biznesit në vend, kryeministri po refuzon të ndërmarrë hapa shtesë për të vënë në lëvizje instrumentë që tashmë janë në kompetencë të tij dhe të qeverisë që ai drejton. Ai është shfaqur kokëfortë në përqasjen e tij “kurrnace” ndaj ekonomisë, duke deklaruar se nuk ka ndërmend të ndjekë këshillat e opozitës, të ekspertëve, si dhe përqasjen ndërkombëtare ndaj krizës. Ai thotë se ka një plan (që askush deri më sot nuk ka dijeni) që është solid dhe i mirëmenduar.

Paketa e dytë e lajmëruar prej tij, së paku me informacionet që media ka bërë publike, në të vërtetë ngjan më shumë me një arnim të paketës së parë sesa një paketë e mirëfilltë në vetvete. Sa për qartësi argumenti, paketa e parë mbulon më së shumti 60 mijë punonjës të biznesit të vogël, nga 175 mijë që ai ka. Kjo paketë nuk prek afro 250 mijë të tjerë të punësuar në biznesin e madh.

Deri tani, në javën e pestë të karantinës, sipas të dhënave zyrtare, si pjesë e pakëtës së parë janë lëvruar jo më shumë se 7 milionë euro, shumë kjo e papërfillshme për një ekonomi që ka para në qarkullim afërsisht 1.2 miliardë euro (agregati M3). Pra, sasia e ndihmës së injektuar nga qeveria është thuajse zero në kuptimin parësor të kësaj fjale.

Atëherë pse kjo sjellje nga ana e qeverisë? Ku dhe çfarë kërkon të arrijë kryeministri?

Kryeministri i njeh risqet që ekonomia shqiptare ekspozohet sot. Në mos ai personalisht, këshilltarët afër tij ia kanë bërë të ditur. Kryeministri e di gjithashtu se përveç industrisë dhe shërbimeve, sektorët e turizmit dhe të bujqësisë janë të prekur po aq rëndë nga kriza, dhe deri tani s`kanë asnjë masë mbështetëse nga ana e qeverisë.

Kryeministri e di, e njeh dhe e kupton faktin e rëndësishëm se kjo krizë do të zgjasë së paku edhe një muaj tjetër, dhe se rikthimi në normalitet nuk do të jetë i menjëhershëm, por shumë gradual. Normaliteti social dhe ekonomik do të kërkojë në rastin më të mirë ndoshta më shumë se një vit.  Sepse edhe sikur ekonomia shqiptare të rikuperojë, ajo e BE-së do të kërkojë më shumë se një vit për tu rikthyer në të njëjtat parametra.

Mbi të gjitha, kryeministri duhet të jetë në dijeni të faktit se se të gjithë sektorët e ekonomisë tonë, me të mbaruar kjo krizë, do të vihen padrejtësisht nën konkurrëncën e pandershme të kompanive të huaja. Këto kompani, për shkak të ndihmës bujare të qeverive të tyre do të jenë në një gjendje financiare shumë më të mirë se kompanitë shqiptare të lena më mëshirë të fatit.

Atëherë përse kryeministri po vepron kështu? Pse ai vazhdon të këmbëngulë pa asnjë logjikë të dukshme në qëndrimin e tij refuzues për të ndërhyrë fort në mbështetje të ekonomisë?

Ndoshta përgjigjia është më e thjeshtë nga ç`mund ta imagjinojmë. Kryeministri po përpiqet të marrë maksimumin politik nga kjo krizë duke menduar sesi ta kthejë këtë krizë në një sukses të tijin personal. Si fillim, ai po përpiqet të përcaktojë afatet kohore të pandemisë, duke dhënë sinjale “shprese” se gjithçka po shkon në zbutje. Për këtë arsye ai po sulmon papushim opozitën për qëndrimet e saj, sepse ai e ka “ndarë” mendjen ta mbyllë shpejt krizën e pandemisë.

Sinjalet e para i dha disa ditë më parë kur deklaroi se po rishikonte lehtësimin e masave shtrënguese sepse të dhënat (kurba e infektimit) tregonte se epidemia po shkon drejt zbutjes. Në të vërtetë shifrat e epidemisë që opinionit publik i tregohen janë të “gatura” nën një sekretim të fortë qeveritar. Askush nuk e di sot se çfarë bëhet ekzaktësisht me pandeminë në Shqipëri.

Pra, kryeministri duket po kërkon më çdo kusht të rikthejë “normalitetin” qoftë ky edhe virtual. Ai po angazhohet që ta mbyllë krizën dhe izolimin në një periudhë jo më të gjatë se katër apo pesë javë më tej. Sigurisht e gjitha kjo është thjesht virtuale, sepse edhe në se masat lehtësohen, pandemia është po aty. Por perceptimi është më i rëndësishëm se realiteti, vecanërisht për mendësinë e kryeministrit. Për fat të keq, të gjitha shenjat tregojnë se diçka e tillë po përgatitet realisht.

Më pas, me arritjen e këtij objektivi, shpenzimet e qeverisë do të reduktohen ndjeshëm. Kthimi në “normalitet” do t`i heqë të drejtën opozitës dhe biznesit që t`i kërkojnë qeverisë paketa shtësë ndihme për bujqësinë, turizmin, të papunët, familjet në nevojë e kështu me radhë.

Së fundmi, ai do shpallë fitoren e tij dhe dështimin e opozitës. Në fakt e ka parashikuar këtë edhe në reagim të datës 9 prill: “…Shqipëria do ta fitojë këtë luftë dhe LBPD do t’i mbetet vetëm turpi e dështimi i radhës..”!

Është një bast shumë i rrezikshëm ky që kryeministri po kërkon të luajë. Dhe në se kjo verifikohet, ky është basti i gabuar i kryeministrit.  Është absurd ky qëndrim, është gjithashtu absurde kjo mënyrë e menaxhimit të krizës dhe risqet e mëdha që kryeministri po kërkon të marrë.

E nuk mund të mos kujtoj, në mes të këtij absurdi, një dialog të domethënës mes Lizës (të botës së çudirave) dhe maces qeshire. Macja i argumentonte Lizës se mendonte që ishte çmendur. Kur Liza e pyeti pse mendonte dicka të tillë, ajo iu përgjigj se fillimisht, ajo besonte se qentë nuk janë të çmendur. Liza sigurisht që ra dakord me këtë konstatim. E pra, – tha macja, qentë hungërijnë kur janë të nxehur dhe tundin bishtin kur janë të kënaqur. Unë, vazhdoi macja, bëj pikërisht të kundërtët. E pra, e shikon që jam e çmendur?

Si rregull, të çmendurit më të rrezikshëm janë pikërisht ata që nuk e mbajnë veten për të tillë, ndërsa normalët që kanë përballë i konsiderojnë të gjithë të çmendur!

Panorama