AKTUALITET, 1 Maj 2019, 11:39

Basha pas takimit me Kryemadhin: Nesër shpallim detyrat e qeverisë tranzitore

Basha pas takimit me Kryemadhin: Nesër shpallim detyrat e qeverisë


Asgjë nuk ka ndryshuar nga qëndrimi i opozitës. Kështu ka deklaruar lideri i opozitës, kryedemokrati Lulzim Basha pas takimit me kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi.

Ndonëse u duk sikur kishte një lëvizje të re dhe mundësi për dialog mes opozitës dhe maxhorancës, Basha tha sot para mediave se largimi i kryeministrit Edi Rama është kusht për dialog.

Ai deklaroi se nesër në orën 11:00 do të ketë një prezantim nga koalicioni opozitar të planit për qeverinë tranzitore dhe në orën 18:00 të së enjtes do të ketë sërish bllokim të disa akseve kombëtare.

“Me zonjën Kryemadhi dhe me të gjithë aleatët po konkludojmë hapat që opozita do të hedhë për përshkallëzimin e aksionit opozitar. Jemi në një krizë të thellë, një krizë politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale dhe siç u bë e qartë dhe 24 orët e fundit dhe një krizë totale të procesit më jetik për Shqipërinë, të integrimit të vendit në BE.

Shkaku i kësaj krize është qeveria e lidhur me krimin që ka asgjësuar Kushtetutën, ka asgjësuar demokracinë, ka asgjësuar zgjedhjet, themelin e llogaridhënies së qeverisë para qytetarëve që është vota e lirë.

Ndaj ne do të vazhdojmë aksionin tonë në të gjitha planet. Nesër nga ora 18:00 do të nisë aksioni në 12 qarqet e vendit për bllokimin e akseve kryesore si një intensifikim, si një përshkallëzim i mosbindjes civile.

Paradite në orën 11:00 do të shpalosim bashkë me koalicionin tonë opozitar detyrat e qeverisë tranzitore për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”, theksoi kreu i PD.

Basha deklaroi se ndërkohë po punojmë instensivisht për programet tona respektive politike dhe ekonomike, për ofertën tonë për shqiptarët, jo vetëm për ta nxjerrë vendin nga kriza por për t’iu dhënë atyre sigurinë, lirinë, mundësitë për një jetë dinjitoze me mundësi për punësim dhe mirëqenie për të gjithë.