AKTUALITET, 11 Korrik 2019, 14:04

Basha nga Selenica: Ja kur do t’i lirojmë bashkitë

Basha nga Selenica: Ja kur do t’i lirojmë bashkitë


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim në Selenicë me strukturat partiake të kësaj njësie vendore që drejtohet nga kryebashkiaku Përparim Shaneti.

Duke i konsideruar të pavlefshme, antikushtetuese dhe antilgjore votimet për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, kryedemokrati tha se “Kryetari legjitim i Bashkisë së Selenicës është Përparim Shameti dhe ai do të jetë në këtë pozicion derisa në vend të mbahen zgjedhje të rregullta e demokratike, në të cilat ai do të rikonfirmohet si kryebashkiak i Selenicës.”

Më tej, kreu i opozitës u shpreh se demokratët duhet t’i shërbejnë mesazhit më të madh që dha 30 qershori: 85 % e shqiptarëve refuzojnë regjimin e Edi Ramës dhe duan ndryshimin.

“Ata duan jo thjesht të ikë një parti dhe të vijë një tjetër, por duan ndryshimin e vërtetë, që i jep fund tranzicionit 30 vjeçar.

Ne nuk jemi në betejë për karriget tona, por për të mbrojtur interesin publik, për ndryshimin rrënjësor të sistemit, që e keqja që solli Edi Rama, të mos përsëritet më kurrë.”- shtoi Basha.

Në Selenicë lideri i opozitës së bashkuar joparlamentare shpalosi programin politik të PD-së, duke zbuluar se fokusi kryesor është tek biznesi i vogël dhe propozimet për ringritjen e tij përmes uljes së taksave.

Basha solli në vëmendje propozimet kryesore konkrete të paketës së PD për biznesin e vogël.

• “Klasifikim si biznes i vogël për xhiro nën 140 milionë lek të vjetra në vit,

• 0.5% taksë e xhiros vjetore si e vetmja taksë për biznesin e vogël

• Ulje e çmimin të naftës me 300 lekë për litër,

• Ulje deri në 20% e çmimit të energjisë”.