AKTUALITET, 29 Prill 2018, 11:47

Basha në Kuvendin e PD: I pranoj gabimet e mia, më kushtëzuan rrethanat

Basha në Kuvendin e PD: I pranoj gabimet e mia, më kushtëzuan

Kryedemokrati Lulzim Basha ka pranuar gabimet e tij në krye të Partisë Demokratike. Por gjatë fjalës së tij para demokratëve gjatë Kuvendit Kombëtar të forcës politike që ai drejton, Basha tha se veprimet e tij kanë qenë të kushtëzuara nga rrethanat.

Duke u shprehur se në çdo moment ka vepruar me qëllimin e vetëm për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve, Basha ka bërë “mea culpa” para të demokratëve. Ai tha se ka dëgjuar kritikat ndaj tij, dhe ka marrë mbështetjen e demokratëve.

“Unë kam pranuar gabimet e mia, por gjithçka e kam bërë për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve. Jam i vetëdijshëm për gabimet e mia, i ndikuar nga rrethanat. Kam dëgjuar kritikat tuaja, dhe kam marrë mbështetjen tuaja. Kam bindjen se duke mësuar nga gabimet do ta forcojmë PD”, u shpreh Basha.

Teksa pranoi se “Ata kanë dështuar në qeverisje, por edhe ne nuk ia dolëm që të çonim deri në fund reagimin tonë”, Basha tha se tashmë janë të gatshëm për të nisur një aksion për rrëzimin e qeverisë.