TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryedemokrati Lulzim Basha gjatë fjalës së tij në Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike përmendi tre fakte që sipas tij tregojnë se Rama ka instaluar një qeveri private. Mjaftojnë tre faktë për ta dëshmuar këtë, tha ai: Kuksianët janë në burg, Dritan Zagani është në mërgim, Saimir Tahiri është në parlament.
“Kuksianët që ngritën zërin kundër dhunës së qeverisë për mbijetesën e fëmijëve të tyre u rrëmbyen natën nga shtëpitë e tyre dhe sot 4 prej tyre akoma mbahen në burg si kriminelë të rrezikshëm. Dritan Zagani që mbrojti shtetin dhe popullin e tij, që u përball me krimin, që ngriti zërin kundër një qeverie që tradhtoi interesat e popullit të saj u rrëmbye natën vonë nga shtëpia e tij u mbajt në burg dhe sot është i mërguar, i përndjekur nga qeveria që duhet ta mbronte. Kurse Saimir Tahiri, dora e djathtë e Edi Ramës dhe dora mbrojtëse e trafikut të drogës dhe e krimit, i cili e ktheu policinë në organizatë kriminale, sot ka lirinë dhe privilegjet e deputetit. Sepse në këtë regjim edhe drejtësia është Edi Rama”,- u shpreh Basha.
Ndër të tjera, kreu i PD-së foli për darka luksoze e argëtime të mbrapshta aty ku kryeministri Rama siç tha, merr vendimet me oligarkët e tij.
“Është ai që vendos se çfarë është provë dhe çfarë nuk është provë. Është ai që vendos se kush duhet të arrestohet dhe kush jo. Është ai që vendos se kush duhet të dënohet dhe kush jo. Nuk është kuvendi, nuk është qeveria, nuk janë institucionet shtetërore që bëjnë politika dhe vendosin politikat e vendit. Është Edi Rama me një grusht klientësh, dhe në ortakëri me krimin. Sot në Shqipëri nuk ka më procese institucionale. Nuk ka më proces politike. Vendimet më të rëndësishme të vendit për politikën, për ekonominë, për të ardhmen e vendit merren në dreka dhe darka private, në lokale luksoze mes alkolit dhe argëtimit të mbrapshtë”,- thotë Basha.