TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Albin Kurti ka dhënë detaje të reja në lidhje me marrjen me forcë nga ushtria serbe të tre efektivëve të Policisë së Kosovës. Ai tha se ambasadori Jetish Jashari, i ka vizituar sot tre efektivët, të cilët i kanë shpjeguar se si ka ndodhur ngjarja.
Sipas kryeministrit, tre efektivët kanë qenë duke konsumuar drekë kur janë sulmuar nga 15 persona të armatosur. Shefi i qeverisë theksoi se rrëmbimi ka ndodhur brenda territorit të Kosovës dhe kjo është e faktuar. “Rrëmbimi është zhvilluar me plan me njerëz të armatosur. Nuk bëhet fjalë për arrestime në Serbi, por bëhet fjalë për rrëmbim brenda Kosovës. Ambasadori Jetish Jashari i ka vizituar policët, ndarazi, njëri pas tjetrit,dhe përshkrimi i tyre se si ka ndodhur rrëmbimi është i njëjtë. Ata kanë qenë tek tryeza e improvizuar për ngrënie. Kjo do thotë pra kanë qenë duke ngrëne drekë. Kanë qenë 15 persona kur i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Kjo heq çfarëdo dileme edhe për ata që dëshirojnë të jenë skeptikë”, tha ai.
Në këto rrethana, Kurti i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar të dënojë aktin e Serbisë dhe t’i kërkojnë menjëherë lirimin e ushtarëve të Kosovës. “Kërkojmë lirimin e menjëhershëm, pa kushte dhe të pacenuar, kërkojmë nga faktori ndërkombëtar, SHBA, BE dhe NATO që ta dënojë agresionin e Serbisë”, tha ai.
Kurti ka thënë se është i interesuar që të shkojë në Bruksel, në takimin që e ka përmendur Borrelli. “Unë jam i gatshëm dhe i interesuar të shkoj në takimin e radhës në Bruksel, që të paraqes hollësisht këto të dhëna, dhe ta kuptojnë që ulja e tensioneve nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe pakushte të tre policëve dhe dënimin e agresionit te Serbisë në Kosovë, ndërsa normalizimi nënkupton zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes bazike”.