BALLKAN, 19 Qershor 2023, 17:24

Arrestimi i qytetarit serb për sulmin ndaj gazetarëve në veri të Kosovës, Sveçla: Kriminelët do të përballen me drejtësi

Arrestimi i qytetarit serb për sulmin ndaj gazetarëve në veri

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla iu është bashkuar reagimeve pas arrestimit të fundit të një qytetari serb në veri, i dyshuar për sulmet ndaj gazetarëve në vend. Sveçla ka shkruar në Facebook se i arrestuari i tretë i radhës, është Urosh Vukasinoviç.

“Tre ditët e fundit, tre të arrestuar për sulmet brutale dhe kriminale ndaj gazetarëve që raportojnë nga veriu i vendit. I arrestuari i tretë, i radhës, është Urosh Vukasinoviç. Këta kriminelë, të cilët po marrin urdhra për këto sulme nga Beogradi, tashmë do të përballen me drejtësinë. Nuk do të ndalemi, çdo përgjegjës për dhunën dhe aktet kriminale ndaj gazetarëve, do të arrestohet.

Republika e Kosovës është vend shembull i funksionimit të demokracisë, dhe nuk do të lejojmë askënd, me asnjë çmim të sulmojë qytetarët, të frikësojë raportimin e gazetarëve dhe cenojë rendin tonë kushtetues”, ka shkruar ministri Sveçla.