AKTUALITET, 9 Gusht 2025, 22:54

Situata në vend/ Ministri Vengu: Izolohen 15 vatra zjarri, 6 ende aktive

Situata në vend/ Ministri Vengu: Izolohen 15 vatra zjarri, 6 ende aktive

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, njoftoi sot se falë angazhimit të forcave të Mbrojtjes Civile, Forcave të Armatosura, zjarrfikësve vendorë dhe mbështetjes së Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, është bërë e mundur izolimi dhe shuarja e zjarreve në disa zona të vendit.

Vatrat e fikura janë regjistruar në: Lleshan (Gramsh), Turan (Korçë), Kakavijë (Dropull), Kuç (Himarë), Kavajë (Lagjja Nr.1), Sohodoll (Dibër), Vlorë (Lagjja “Pavarësia”), Katund i Ri (Durrës), Ril (Lezhë), Laknas (Kamëz), Larushkë (Krujë), Nartë (Vlorë), Hajmel (Vau i Dejës), Pyll i Sodës (Vlorë) dhe Fishtë (Lezhë).

Ndërkohë, vijojnë të jenë aktive disa vatra problematike:

Velahovë dhe Dhrovjan (Bashkia Finiq), ku operacioni mbështetet nga Forcat Ajrore dhe automjete zjarrfikëse të FA, me fokus mbrojtjen e banesave.

Tragjas (Vlorë), ku vatra e shuar një ditë më parë është riaktivizuar dhe po punohet nga 12 efektivë të MZSH.

Bolenë (Himarë), ku situata paraqitet problematike, por forcat tokësore dhe ajrore po punojnë për izolimin e saj.

Lofkënd (Mallakastër), ku prej orës 06:00 po angazhohen mbi 75 forca dhe është izoluar një vatër kritike.

Malaj i Epërm (Mirditë), ku vatra është fikur me ndërhyrje nga ajri nga avioni “Canadair” italian dhe situata po monitorohet.

Mali i Allushit (Klos), ku terreni i pjerrët ka shkaktuar riaktivizimin e flakëve jashtë perimetrit të shuar më parë.

“Forcat operacionale në terren po koordinohen me të gjitha strukturat për të mbrojtur banesat, sipërfaqet pyjore dhe jetën e qytetarëve”, deklaroi Vengu, duke shprehur falënderim dhe respekt për efektivët e zjarrfikëses, policisë, ushtrisë dhe vullnetarët që po luftojnë në vijën e parë kundër flakëve.