BALLKAN, 16 Korrik 2023, 21:55

Simbole çetnike dhe fotografi të kriminelëve në një koncert në Banja Llukë, i ftuar edhe këngëtari që u tall me gjenocidin në Srebrenicë

Simbole çetnike dhe fotografi të kriminelëve në një

Disa dhjetra qytetarë kanë marrë pjesë në një koncert në Banja Llukë, që thuhet se u organizua nga “Veteranët e Republikës Srpska”, i cili mbledh “veteranët e luftës” nga ky entitet, të financuar nga buxheti i RS.

Siç raporton një reporter i Radios Evropa e Lirë, disa të pranishëm aty kanë bluza me foton e Ratko Mlladiqit, i cili u dënua në Tribunalin e Hagës për krime lufte dhe gjenocid në Srebrenicë, dhe se disa fëmijë janë paraqitur me ikonografi çetnike.

Kjo ngjarje e diskutueshme vjen në një kohë krize politike në Bosnje dhe Hercegovinë të shkaktuar nga aktivitetet anti-Dayton të presidentit të RS, Milorad Dodik dhe mesazhet separatiste që janë dënuar nga komuniteti ndërkombëtar.

Para koncertit, kryetari i asaj shoqate, Zoran Miljanoviq, i tha REL në gjuhën serbe se qëllimi i koncertit ‘patriotik’ është t’i thotë jo përfaqësuesit të lartë të komunitetit ndërkombëtar në BeH, Christian Schmidt, legjitimitetin e të cilit RS nuk e njeh.

Miljanoviq po ashtu ka deklaruar se ndihma ka ardhur edhe nga Qeveria e RS-së “në aspektin logjistik dhe të gjithë ndihmës”.

Siç ishte paralajmëruar, aty është i ftuar edhe Mirko Pajçin, një këngëtar që u tall me gjenocidin në Srebrenicë në të cilin u vranë më shumë se 8,000 boshnjakë.